Humbja e 11-të radhazi e Dritës

KB Drita ka pësuar humbjen e 11-të radhazi në Superligën e Kosovës në basketboll duke u mposhtur nga Prizreni 16 me shifrat 90:109, në kuadër të xhiros së 11-të.

Ndeshja nisi e baraspeshuar duke u mbyllur çereku i parë me shifrat 28:30 për mysafirët.

Sikurse 10 minutëshi i parë edhe 10 minutëshi i dytë ishte konkurrues e me rezultat të ngushtë të cilin e fitoi Prizreni me rezultat 25:26, për të shkuar në pushim me shifrat 53:56.

Në periudhën e tretë u bë dallimi, ku basketbollistët e Prizrenit 16 thelluan më shumë epërsinë, duke thyer ‘rezistencën’ nga gjilanasit, ndërsa epërsia më e lartë në ndeshje ishte 72:85, sa ishte rezultati në semafor pas 30 minutash.

Epërsia e prizrenasve shkoi deri në 20 pikë, 86:106, duke mos e rrezikuar fitoren, ku në fund triumfuan 90:109, që ishte fitorja e shtatë, ndërsa kanë edhe tri humbje.

Te Drita u dalluan Isaiah Johnsson me 22 pikë e shtatë kërcime dhe Bardh Jakupi me 21 pikë e nëntë kërcime, kurse te Prizreni 16 u dalluan Urim Zenelaj me 18 pikë e 16 kërcime, Ivan Koljeviq me 23 pikë e 14 asistime dhe Arti Hajdari me 28 pikë.