Deputet në Komunë, Shef në Gjykatë

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” sonte transmetoi disa kuriozitete të cilat po ndodhin në sistemin e “pavarur” gjyqësor të Kosovës.

Në pjesën e parë të emisionit “Drejtësia në Kosovë”, u solli të gjeturat ekskluzive se si një deputet komunal i komunës së Ferizajt, njëkohësisht është edhe shef i Zyrës Mbështetëse Ligjore në Gjykatën Themelore të Gjykatës në Ferizaj.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, Hyzri Delolli, këshilltar komunal nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti në koalicion lokal me Lidhjen Demokratike të Kosovës që nga viti 2013, në kundërshtim me ligjin për shërbimin civil i ka mbajtur këto dy pozita, atë të shërbyesit civil në gjykatë dhe atë të asamblistit në komunë.

Në përgjigjet e tij dhënë për “Drejtësia ën Kosovë”, deputeti Delolli thotë se ai ka të drejtë që t`i mbajë këto dy pozita pasiqë, sipas tij, ai ka hequr dorë nga të ardhurat si asamblist në komunë.

“Pozita të cilën e kam në Gjykatë, e kam pozitë të rregullt, kurse pozita ime si asamblist i Kuvendit Komunal është për të cilën gjate vitit mbahen dhjetë seanca për te cilin me kane thënë se nuk ke të drejtë në pagesë mujore, pasi e ke pagesën e rregullt në pozitën në Gjykatë. Pas daljes së rezultatit zgjedhor Kryetari,dhe Administratori i gjykatës më kanë kërkuar që të deklarohem se a do të rri në gjykatë apo në Kuvendin komunal. Lidhur me ketë jam deklaruar se unë do të rrijë në vendin e punës në Gjykatë”, ka deklaruar Delolli.

Mirëpo, “Drejtësia në Kosovë” tregoi se sipas ligjit, zyrtarët e gjykatës nuk guxojnë të punojnë edhe në gjykatë edhe të jenë deputet të partive, pasiqë Ligji për Shërbimin Civil e ndalon kategorikisht që shërbyesit civil ku bënë pjesë edhe Delolli të ushtrojnë poste politike.

Hulumtimi tregoi se kjo shkelje e ligjit ka ndodhur në Gjykatë dhe se të gjithë kolegët, përfshirë edhe kryetarin e Gjykatës Bashkim Hyseni kishin qenë në dijeni për kolegun e tyre këshilltar partiak në komunë.

“Ne kemi njoftuar Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor me rastin e zgjedhjes së tij si asamblist. Dhe çështja e interpretimit të legjislacionit të shërbyesve civilë për këtë ka qenë dhe është e Këshillit Gjyqësor respektivisht e SKGjK-së si organ administrativ. Për shkak se Sekretariati aktualisht është organ punëdhënës”, ka treguar kryetari i Gjykatës, Bashkim Hyseni.

Pra siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, Gjykata e Ferizajt ka vetëm një punëtor që është edhe deputet në komunë, i dyti e ka ngrirë pozitën për shkak se puna e tij në Gjykatë do vlerësohej shkelje e Ligjit. Për këto standarde të dyfishta administratori i gjykatës, Sejdi Sadiku i ka thënë emisionit “Drejtësia në Kosovë” se Delolli nuk ka marrë pagë si asamblist dhe se për këtë ai ka patur të drejtë që t`i ushtrojë të dyja funksionet.

“Delolli nuk ka mungesa të arsyeshme në punën dhe gjatë  kur ai është angazhuar në asamble punët e tij i kanë kryer zyrtarët tjerë dhe nuk ka pas ngecje sa i takon procesit të punës”, ka deklaruar administrator i Gjykatës, Sejdi Sadiku.

Për ta sqaruar këtë situatë ekipi i “Drejtësia në Kosovë”, ka kërkuar interpretim ligjor nga ana e Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Përgjigja e Vahid Limanit, shef i administratës së përgjithshme në SKGjK, është shumë e qartë. Kjo çka ka ndodhur në Ferizaj nuk është dashur të ndodhë.

“Sipas Ligjit për Shërbimin Civil, konkretisht nenin 17-të, nuk lejohet. Duhet me u përcaktuar për njërën pozitë se cilën dëshiron ta mbajë”, ka thënë Limani.

Edhe Ministria e Administratës Publike e cila e ka hartuar Ligjin për Shërbimin Civil, thotë se Delolli nuk ka të drejtë t`i mbajë të dyja funksionet.

“Me rastin e angazhimit të nëpunësit civil në gara zgjedhore, institucioni, bazuar në Ligjin për Shërbimin Civil, bën pezullimin e vendit të punës deri në momentin kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpall rezultatet zgjedhore. Nëse nëpunësi civil nuk zgjidhet në postin politik, ai ka të drejtë të kthehet në vendin e punës. Mirëpo, nëse ndodhë e kundërta, domethënë nëpunësi emërohet në post politik, atij i pezullohet vendi i punës, por kjo nuk nënkupton se atij i shuhet , por vendi i punës i ruhet ose i caktohet një vend tjetër, i nivelit që e kishte një periudhë kohore derisa të zgjatë mandati”, ka deklaruar Zeqir Bekolli, shef i Zyrës për informim në MAP.

Të njëjtin qëndrim e ka edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Sekretari i kësaj Ministrie, Besnik Osmani, i ka konfirmuar emisionit “Drejtësia në Kosovë”, se shërbyesit civilë nuk kanë të drejtë njëkohësisht të mbajnë edhe poste politike.

“Në kuptim të ligjit është një konflikt të qenit në të njëjtën kohë shërbyes civil edhe të mbash një post politik. Pra askujt nuk i lejohet që shërbyesit civil në të njëjtën kohë të mbajnë edhe një post politik”, ka deklaruar sekretari i MAPL-së, Besnik Osmani.