
ARKIV - Ilustrim: Nga një protestë kundër dhunës ndaj grave FOTO ARKIV: KALLXO.com
Dhuna në Familje, 581 Raste Vetëm Janar - Qershor
Të dhënat e Policisë tregojnë se vetëm në gjashtë mujorin e parë të vitit 2017-të në Kosovë janë raportuar 581 raste të dhunës në familje. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës në përgjigjet e tyre për KALLXO.com.
Në përgjigjet e Policisë, thuhet se vitin e kaluar ishin regjistruar 1226 raste të dhunës në familje, ku në 988 raste viktima kanë qenë gratë dhe vajzat, ndërsa në 259 raste viktima kanë qenë burrat e djemtë.
Sipas përgjigjes së Policisë, në kuadër të PK-ës si në nivelin qendror, dhe në nivel lokal ekzistojnë zyrtarët policorë të cilët merren vetëm me raste të dhunës në familje dhe të njëjtit kanë trajnimet e nevojshme për trajtim të duhur dhe hetimin e rasteve të tilla.
“Veprimtaria e Policisë kundër kësaj dukurie negative në shoqëri (dhunës familjare) është e përqendruar në dy drejtime: Në parandalim (preventivë) dhe në luftimin e dhunës në familje dhe trajtimin, mbrojtje dhe përkrahje dhe strehim të viktimave”, thuhet në përgjigjen e PK-së.
Sipas këtyre të fundit Policia ka hartuar planet operative policore që dalin nga detyra e policisë të përcaktuara me Ligjet në fuqi në Kosovës dhe nga rregulloja e punës se Policisë.
“Policia seriozisht do ta trajtojnë çdo rast dhe viktimat do të kenë përkrahje dhe ndihmë të plotë, përderisa kryesit e veprave të tilla do të sanksionohen sipas ligjit”, thuhet më tutje në përgjigjen e PK-së.