Sot Hapet Panairi i Librit “Prishtina 2017”

Rreth 1300 titujt rinj

Sot duke filluar nga ora 18:00 në Prishtinë do të hapet edicioni i 19-të i panairit të librit “Prishtina 2017”, ku do të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora.

Sipas organizatorëve do të prezantohet rreth 1300 tituj të rijnë dhe do të shënohen një varg aktivitetesh.

Siç ka njoftuar Shoqata e Botuesve të Kosovës në prag të jubileut të 20-të, do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore:

– 600-vjetori i lindjes së Pal Engjëllit
– 300-vjetori i lindjes së Françesk Avatit
– 220-vjetori i lindjes së Naum Veçilharxhit
– 160-vjetori i lindjes së Visar Dodanit
– 150-vjetori i lindjes së Mati Logorecit
– 120-vjetori i lindjes së Shime Deshpalit
– 110-vjetori i lindjes së Mitrush Kutelit
– 100-vjetori i lindjes së Musine Kokalarit
– 100-vjetori i lindjes së Sotir Cacit
– 100-vjetori i lindjes së Ndue Bytyçit
– 100-vjetori i lindjes së Heinrich Böll
– 100-vjetori i lindjes së Sidney Sheldon
– 100-vjetori i lindjes së Robert Loëell
– 100-vjetori i lindjes së Huan Rulfo
– 80-vjetori i lindjes së Anton Pashkut
– 80-vjetori i lindjes së Ali Sutajt
– 30-vjetori i vdekjes së Lasgush Poradecit

“Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera në ditët e panairit. SHBK-ja ka paraparë informimin e çdoditshëm të vizitorëve, mediave, botuesve me informatorin e shtypur dhe dixhital, përmes faqes www.panairilibrit.com .”, njofton SHBK

Shoqata e Botuesve të Kosovës po ashtu ka paraparë darkën solemne më 8 qershor në hotel Prishtina, ku do të nderohen me trofeun e Panairit, sipas vlerësimit të jurisë speciale, librat më të mirë në:

– Prozë
– Poezi
– Kritikë/studime letrare/eseistikë/publicistikë
– Përkthim letrar
– Projektin kapital

si dhe shpallet:

– Shkrimtari i vitit (letërsi shqipe)
– Shkrimtari i vitit (letërsi e huaj)
– Stenda më e vizituar

Panairi do të ketë edhe mysafirët e nderit, shkrimtarë të shquar shqiptarë dhe të huaj. Ky panair do të jetë i hapur për vizitorë prej orës 09:00 deri në orën 20:00./21Media