Foto-ilustrim

Ferizaj, burg për shoferin që akuzohet se e goditi këmbësorin dhe iku nga vendi i ngjarjes

Gjykata e Ferizajt e ka dënuar me tre vjet burg të pandehurin I.J., i akuzuar se pasi e kishte goditur me veturë viktimën N.M. kishte ikur nga vendi i ngjarjes, duke mos i ofruar ndihmë dhe as nuk e kishte thirrur Policinë dhe Emergjencën.

Aksidenti kishte ndodhur më 31 tetor 2021 rreth orës 22:00 në rrugën Shtime-Ferizaj.

Viktima ishte dërguar në Emergjencën e Ferizajt e prej aty në QKUK, në Prishtinë, ku kishte vdekur një javë më vonë pasi nuk u kishte bërë ballë lëndimeve.

Gjykata e gjeti fajtor të pandehurin në të tri pikat e aktakuzës: rrezikim i trafikut, rrezikim i trafikut publik si dhe mosdhënie e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut.

Palët e pakënaqura do të kenë kohë deri në fund të tetorit ta ankimojnë aktgjykimin në Gjykatën e Apelit, e me vendim të veçantë gjyqtari individual ka vendosur që deri në plotfuqishmërinë e vendimit I. J. të qëndrojë në paraburgim.

Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik është e dënueshme sipas Kodit Penal.

Aty parashihen 3 situata: nëse ngasësi i mjetit të transportit nuk i ofron ndihmë personit të lënduar me atë mjet të transportit, i njëjti do të dënohet me burgim deri në një vit; nëse vepra e njëjtë penale rezulton me lëndim të rëndë trupor, kryesi dënohet me burgim prej tre muaj deri në pesë vjet.

E në rastin si ky me lart, ku mosdhënia e ndihmës ka rezultuar me vdekjen e personit të lënduar, kryesi mund të dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Kodi Penal po ashtu e ka inkriminuar edhe veprën tjetër tjetër të të pandehurit – rrezikimin e trafikut publik për shkak të shkeljes së Ligjit të trafikut ku si rezultat vdes personi, me ç’rast një shkelje e tillë dënohet prej një deri në tetë vite.