Zjarri në Bjeshkët e Deçanit | Foto: Lidhja e Historianëve - Deçan

Zjarr në malet e Deçanit, kryetari i Komunës fton qytetarët t’i ndihmojnë zjarrfikësve

Një zjarr ka kapluar malet e Deçanit, të shtunën para mesnatës, më 08.03.2025.

Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Ramosaj tha se tashmë është lokalizuar zjarri, por që ende nuk kanë arritur ta shuajnë.

“Është lokalizuar ,me u ba ma shumë njerëz, ndoshta po i japim fund”- tha kryetari Ramosaj për KALLXO.com.

Sipas tij, zjarri ka përshifirë disa zona të fshatrave për rreth maleve të Deçanit.

“Zjarri i cili është sipër fshatit Isniq, është brezi diku ku ndahet Kulla e Qelisë që i themi ne”- tha Ramosaj.

Ai shton se tashmë gjendet në stacion të zjarrfikësve në Deçan dhe se janë duke bërë përpjekje që ta shuajnë zjarrin.

Sipas Ramosajt, zjarri dyshohet se është shkaktuar pa qëllim nga qytetarët, të cilët kanë frekuentuar zonat malore të asaj ane.

“Po besoj faktori është njeriu, pakujdesia, është dalë dikush me shëtit, kështu po supozojmë edhe ka ba piknik edhe e ka lënë zjarrin ndezë dhe me siguri është përhapë prej tyre”- ka thënë tutje Ramosaj.

Ndërsa përmes një postimi në Facebook, kryetari Ramosaj i ka bërë thirrje qytetarëve të Deçanit që nesër, të dielën t’i ndalin në ndihmë ekipit të zjarrfikësve dhe të kontribuojnë në shuarjen e zjarrit.

“Ftojmë të gjithë vullnetarët që të bashkohen nesër, në ora 08:00, tek stacioni i zjarrfikësve në Deçan. Pajisjet e nevojshme do të sigurohen në terren, por ju rekomandojmë të vini të përgatitur me rroba dhe këpucë të përshtatshme” – ka shkruar Ramosaj në Facebook.

Ndërsa, faqja në rrjetin social Facebook ‘ Lidhja e Historianëve – Deçan’, orë më parë kanë publikuar një video, ku shihet zjarri i përhapur në male.