Zgjedhjet në BE, Kurti u drejtohet bashkatdhetarëve me një mesazh

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-adresimi u është drejtuar bashkatdhetarëve duke kërkuar nga ta që të marrin pjesë në zgjedhjet që do të mbahen të dielën, më 09.06.2024, në Bashkimin Europian.

Kosova pas aplikimit për anëtarësim në BE, sipas Kurtit, nuk mund të mos marrë pjesë e të kontribuojë në çfarëdo forme në ruajtjen e këtyre organizatave.

“Kosova si vend që aplikoi për anëtarim në Bashkimin Europian dhe si vend që ka për qëllim strategjik kryesor integrimin në BE dhe në NATO, nuk mund të mos marrë pjesë e të kontribuojë në çfarëdo forme në ruajtjen e këtyre organizatave dhe vlerave demokratike që ndajmë me to”- ka theksuar ai.

“Prandaj vota e juaj në zgjedhjet në Parlamentin e ri Europian të 9 qershorit, e dashur mërgatë duhet të jetë përgjigja jonë, kontributi ynë kundër rreziqeve që kërcënojnë kohezionin dhe unitetin e Bashkimit Europian”- është shprehur Kurti.

Kreu i Qeverisë së Kosovës ka nënvizuar se pavarësisht masave të BE-së, Kosova i njeh meritat e atyre që ndihmuan në çlirimin e vendit dhe në shpalljen e pavarësisë.

“Sigurisht që Kosova të cilës padrejtësisht ia imponuan masat shtrënguese, që sot shtetet anëtare dhe Komisioni orvaten t’i heqin, ka arsye të sinqerta për t’ia shprehur mërinë BE-së. Por, ne jemi një popull dhe një Republikë e matur, që i njohim meritat e atyre që ndihmuan në çlirimin tonë para 25 vjetëve, si dhe pavarësinë tonë të shpallur para 16 vjetëve”- ka deklaruar kryeministri.

“Vota i takon sigurisht ndërgjegjes së secilës dhe të secilit. Si kryeministër i Kosovës po e shpreh besimin tim që do të votoni për forcat e përparimit, për ato forca politike të cilat nuk janë ekstreme dhe që janë të qarta në pozicionimin e tyre ndaj vendeve armiqësore me Bashkimin Evropian por edhe të qarta ndaj zgjerimit të BE-së”- vazhdon ai.

Si kryetar i LVV-së, Kurti tha se e ka zgjedhur “familjen evropiane”, teksa shtoi se i takojnë qendrës së majtë, Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve.

Zgjedhjet për Parlamentin e ri Europian do të mbahen në të 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian nga 6 deri më 9 qershor.

Qytetarët e BE-së do t’i zgjedhin 720 anëtarë të Parlamentit nga të gjitha vendet anëtare, duke u bazuar kryesisht në madhësinë e popullsisë së secilit vend. Kështu, Gjermania do të dërgojë më së shumti ligjvënës në Bruksel/Strasburg – 96 eurodeputetë, ndërsa Qiproja, Luksemburgu dhe Malta nga 6 sosh secila.

Grupi më i madh politik është ai i qendrës së djathtë, Partia e Popullit Europian (EPP) – pjesë e së cilës janë CDU-ja gjermane dhe Platforma Civile polake (PO) – i ndjekur nga Socialistët dhe Demokratët (S&D) – që sjellë së bashku partitë socialdemokrate të qendrës së majtë. Pastaj ka shumë grupe të tjera, duke nisur me Renew, i cili mbledh partitë liberale dhe ato të qendrës, siç është Partia Renaissance e presidentit francez, Emmanuel Macron.