Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu - Foto: KALLXO.com

Zëdhënësi i Qeverisë e arsyeton votimin e Kurtit në zgjedhjet në Shqipëri

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu e ka arsyetuar pjesëmarrjen në zgjedhje dhe duke votuar në Shqipëri, të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Duke iu përgjigjur pyetjes së KALLXO.com për këtë çështje, Kryeziu tha se Kurti e ka shfrytëzuar një të drejtë demokratike.

Në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë, Kryeziu shtoi se Shqipëria e mban një vend të veçantë për Kurtin.

“Kryeministri Kurti e ka shfrytëzuar një të drejtë demokratike sikurse është e drejta për votë, e që i takon atij prej momentit kur është pajisur me pasaportë shqiptare. Siç e dini për kryeministrin Kurti Shqipëria mban një vend të veçantë, për bindjet e tij që për raportin mes Kosovës dhe Shqipërisë janë të njohura për shumë kohë tash. E kritika për të, më shumë duket të jetë në raport me bindjet e tij sesa me veprimin e tij të djeshëm, duke pasur parasysh që edhe shumë qytetarë të tjerë të Republikës së Kosovës, u bën pjesë e këtij procesi të votimit”, tha ai.

Zëdhënësi i Qeverisë ka shtuar se po të ishte e mundur “që të ndahej kryeministri nga qytetari” do ta bënin një gjë të tillë.

“Tash unë e kuptoj që kryeministri i Republikës së Kosovës nuk është si çdo qytetar tjetër, megjithatë kryeministri është edhe qytetar. Po të ish e mundur që të ndahej kryeministri nga qytetari do ta bënim, por po ashtu po të ishte e mundur proceduralisht që kryeministri të votonte si qytetar me shumë dëshirë do ta bënte, por një gjë e tillë është e pamundur për shkak të protokollove shtetërore për sigurinë”, u përgjigj ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është kritikuar nga spektri politik vendor dhe ndërkombëtar pasi mori pjesë si votues në zgjedhjes e së dielës në Shqipëri.

Nga partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje garuan për deputetë tre kandidatë, të regjistruar si të pavarur.