Foto: KALLXO.com

Vrasja e policit në Zllatar, dëshmitari jep detaje për momentin kritik

Rron Aliu ka dhënë versionin e tij për rastin e 18.02.2022, kur gjatë një ndeje mes kolegësh policë ishte qëlluar për vdekje zyrtari policor Lirim Haxholli.

Për rastin që ka ndodhur në Zllatar të Prishtinës i akuzuar është Fatlum Mehmeti.

I thirrur nga Prokuroria në cilësinë e dëshmitarit, Rron Aliu ka treguar momente nga ngjarja tragjike.

Në një moment, gjatë dhënies së dëshmisë, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit për momentin kritik, dëshmitari ishte goxha i emocionuar.

Aliu tregoi se atë ditë rrugën për t’u takuar me pjesën tjetër të kolegëve e kishte bërë me tashmë të ndjerin.

Me të shkuar te vila në Zllatar, dëshmitari tha se para tyre te vila kishte qenë vetëm pronari i vilës ndërsa tregoi se nuk i kujtohet nëse ka qenë edhe dikush tjetër para tyre.

Tutje Rron Aliu tregoi se diku pas 20-30 minutash kishte ardhur te vila tashmë i akuzuari Fatlum Mehmeti.

“Po, më kujtohet, Fatlumi Mehmeti ka ardhur pas nesh përafërsisht diku 20- 30 minuta”- tha dëshmitari në Gjykatën e Prishtinës.

Dëshmitari deklaroi se shumicën e kohës në atë natë kishte ndenjur me tashmë të akuzuarin dhe me të ndjerin.

Tutje Aliu tha se tashmë i akuzuari sa i përket disponimit ka qenë në gjendje të rregullt dhe se nuk kishte vërejtur ndonjë gjë të pazakontë tek ai.

“Unë kam qenë i ulur në kolltuk me Fatlum Mehmetin të cilin e kam pasur në anën e djathtë timen dhe të ndjerin Lirim Haxholli të cilin  e kam pasur në  anën e majtë. Pak para momentit kritik muj me thanë disa sekonda jam ngritur në këmbë dhe u jam bashkangjitur disa kolegëve të tjerë afër nesh dhe aty kam qëndruar në këmbë”- tha dëshmitari duke treguar pozicionimin e tij në momentin kritik.

Sipas Aliut, në momentin kur është dëgjuar krisma e armës, ka qenë në këmbë, përafërsisht 2 metra e gjysmë larg Lirim Haxhollit.

Dëshmitari tha se në momentin kur ishte ngritur në këmbë kishte lënë tashmë të akuzuarin, Fatlum Mehmeti dhe të ndjerin duke biseduar.

Aliu tha se me të dëgjuar krismën ishte kthyer prapa dhe e kishte parë Fatlum Mehmetin me armë në dorë, i cili duke bërtitur kishte filluar ta godasë veten.

“Jo, nuk ka pasur, atmosfera ka qenë e mirë”- tha dëshmitari kur u pyet se a kishte pasur ndonjë konfrontim mes të pandehurit dhe të ndjerit pak para momentit kritik.

Në fund, Gjykata mori vendim duke refuzuar propozimin e avokatit të të akuzuarit, Veton Robaj, që masa e paraburgimit Mehmetit t’i zëvendësohet me atë të arrestit shtëpiak, pas kundërshtimeve të prokurorit, Arben Hoti.

Çka thuhet në aktakuzë?

Sipas dosjes së siguruar nga Kallxo.com, i akuzuari, pjesëtar i Policisë së Kosovës, i vetëdijshëm se manipulimi me armë paraqet rrezik, në prezencë të shumë personave e në ambient të mbyllur ka manipuluar me armën zyrtare.

I akuzuari Fatlum Mehmeti ngarkohet me veprën penale të vrasjes me dashje eventuale.

Çka nënkupton dashja eventuale sipas Kodit Penal?

“Personi vepron me dashje eventuale kur është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose i mosveprimit të tij dhe ai pranon shkaktimin e saj”.

Dënimi sipas Kodit Penal për kryerjen e kësaj vepre penale është jo më pak se pesë (5) vjet burgim.

Menjëherë pas rastit ishin arrestuar gjashtë zyrtarë policorë ndërsa të tjerët që ishin prezentë në vendin e incidentit ishin suspenduar nga puna.

Përveç arrestimeve dhe suspendimeve ishin sekuestruar edhe 14 armë zyrtare të policëve të cilët kishin qenë pjesë e ahengut.

Lidhur me këtë rast është ngritur edhe një aktakuzë ndaj 14 zyrtarëve policorë të cilit kishin qenë prezentë në momentin kur kishte ndodhur ngjarja e 18.02.2022, në fshatin Zllatar të komunës së Prishtinës.

Sipas aktakuzës, të pandehurit F. A., E. I., B. M., E. Th. dhe G. T., më 18.02.2022, rreth orës 22:00, në fshatin Zllatar të Prishtinës, në një vilë në këtë fshat, në të cilën kishin organizuar një aheng privat, jashtë detyrës zyrtare, kanë vepruar në kundërshtim me rregullat për autorizimet e Policisë dhe përdorimin e armës të parapara në Ligjin për Policinë.

Sipas aktakuzës, të njëjtit dyshohen se kanë shtënë me armë zyrtare duke përdorur municion jozyrtar, gjersa ishin në tarracën e vilës ku zhvillohej ahengu.

Me këtë, secili prej tyre individualisht sipas Prokurorisë e kanë kryer veprën penale – përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, dhe -shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.

Ndërsa, të pandehurit A. B., Xh. B., A. M., A. A., A. Z., I. S., Rr. A., V. Rr. dhe A. M., nuk i kanë lajmëruar veprat penale të lartcekura, nuk i kanë raportuar të shtënat me armë zjarri të bëra nga kolegët e tyre-të pandehurit gjatë ahengut ku kanë qëndruar së bashku, andaj me këtë ata akuzohen se kanë kryer veprën penale – moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre.

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë.