Presidenti i SHBA Joe Biden /Getty Images

Vizita e Biden në Arabinë Saudite karakterizohet me tensione lidhur me vrasjen e gazetarit Khashoggi

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi ishte “në krye të takimit” kur ai u prit nga Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman (MBS) në kryeqytetin e vendit, Jeddah, të premten.

“Ajo që ndodhi me Khashoggi ishte mizore”, tha Biden më pas.

“Sapo e bëra të qartë nëse diçka e tillë ndodh përsëri, ata do të marrin atë përgjigje dhe shumë më tepër.”

Pas një pritjeje goxha denigruese në Aeroportin Ndërkombëtar të Mbretit Abdulaziz në Jeddah, Biden u mirëprit në pallatin mbretëror saudit nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman Al Saud duke u përshëndetur me prekje grushtash. Momenti u transmetua në televizionin saudit. Biden u shfaq më vonë në mediat saudite duke i shtrënguar duart me mbretin Salman bin Abdulaziz.

Presidenti dhe princi i kurorës biseduan gjithashtu edhe për sigurinë rajonale nga Deti i Kuq në Iran, si dhe bashkëpunimin e ardhshëm në teknologjinë celulare 5G dhe 6G, gjatë takimit të tyre tre-orësh.

Tensionet mes Uashingtonit dhe Riadit për Khashoggin

Biden arriti në Arabinë Saudite pas dy ditësh në Izrael, duke kërkuar t’i “rikalibrojë” marrëdhëniet me Riadin, një nga aleatët më të vjetër të SHBA-së në rajon.

Mirëpo tensionet mes Bidenit dhe liderit de fakto saudit Mohammed bin Salman Al Saud kanë qenë të larta pasi Biden u zotua më parë se do ta bënte Arabinë Saudite një shtet “non grata” lidhur me të dhënat e saj të të drejtave të njeriut.

Pas shumë spekulimeve, presidenti konfirmoi pas takimit se ai foli për temën e vrasjes së Jamal Khashoggi – gazetarit disident saudit i cili jetonte në SHBA dhe punonte për ëashington Post përpara se të vritej në Ambasadën Saudite në Stamboll në vitin 2018.

“Ai në thelb tha se nuk ishte personalisht përgjegjës. Unë dhashë indikacione se mendoja se ishte,” u tha Biden gazetarëve në Jeddah.

“Isha i qartë dhe i drejtpërdrejtë në diskutimin e tij. E thashë pikëpamjen time të qartë.”

Irani pjesë e axhendës

Një fushë ku të dy udhëheqësit shënuan progres në rritje ishte siguria rajonale. Në një deklaratë të përbashkët të transmetuar më vonë nga agjencia shtetërore e lajmeve saudite, të dy udhëheqësit ranë dakord për rëndësinë e ndalimit të Iranit nga “posedimi i një arme bërthamore”.

Në vitin 2015, Irani nënshkroi një marrëveshje për ta kufizuar programin e tij bërthamor – të cilin ai thotë se është për prodhimin e energjisë elektrike civile – duke e bërë më të vështirë zhvillimin e një arme bërthamore, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Ish-presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018.

Teherani dhe Riadi, respektivisht, janë fuqitë kryesore myslimane shiite dhe sunite në Lindjen e Mesme. Të dyja kombet i ndërprenë lidhjet në vitin 2016 mes një morie luftërash ndërmjetëse nga Jemeni në Siri.

Deklarata gjithashtu tha se Biden është i përkushtuar për “sigurinë dhe mbrojtjen territoriale të Arabisë Saudite, dhe lehtësimin e aftësisë së Mbretërisë për t’i ndërmarrë aftësitë e nevojshme për ta mbrojtur popullin dhe territorin e saj kundër kërcënimeve të jashtme”.

Marrëveshje historike në Detin e Kuq

Qeveritë amerikane dhe saudite ranë dakord gjithashtu t’i largojnë paqeruajtësit nga ishulli Tiran i Detit të Kuq – një veprim që kërkon miratimin e Izraelit dhe është një shenjë e normalizimit të marrëdhënieve midis vendeve.

“Paqeruajtësit ndërkombëtarë, përfshirë trupat amerikane, do të largohen nga ishulli Tiran në Detin e Kuq, ku kanë qenë të stacionuara për më shumë se 40 vjet,” tha Biden.

Ishulli Tiran ndodhet midis qytetit turistik egjiptian të Sharm el-Sheikh dhe Arabisë Saudite, duke e bllokuar një ngushticë të ngushtë uji që çon në portin e vetëm izraelit në Detin e Kuq Eilat. Izraeli e pushtoi ishullin pasi Egjipti e bllokoi hyrjen detare në vitin 1948, duke provokuar Luftën Gjashtë Ditore. Paqeruajtësit janë vendosur në ishull që nga viti 1981, dhe një vit më vonë ishulli iu kthye Egjiptit për t’i përmbushur Marrëveshjet e Camp David.

Në vitin 2016, qeveria egjiptiane ia dha ishullin Arabisë Saudite, duke shkaktuar një protestë mes disa egjiptianëve. Qeveria saudite ka në plan të zhvillojë turizmin në ishullin Tiran.

SHBA kërkon ta forcojë ndikimin në rënie në Lindjen e Mesme

Biden do të përpiqet të riangazhohet me Arabinë Saudite dhe udhëheqës të tjerë nga Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) duke përfshirë Bahreinin, Kuvajtin, Omanin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA). Ai do të takohet me udhëheqësit e GCC, si dhe me udhëheqësit e Egjiptit, Irakut dhe Jordanisë të shtunën.

Me afrimin e zgjedhjeve afatmesme të kësaj vjeshte në SHBA dhe demokratët e Bidenit që mund të humbasin përkrahje, Biden do ta shtyjë Princin e Kurorës ta rrisë prodhimin e naftës dhe ta kompensojë rritjen e çmimeve në SHBA në mes të pushtimit rus të Ukrainës. Megjithatë, vëzhguesit thonë se shqetësimet e tij do të kenë pak rëndësi për udhëheqjen saudite.

Ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit të SHBA, Aaron David Miller, tani anëtar i lartë në Carnegie Endoëment for International Peace, tha se qëndrimi i vështirë i Biden do të ndryshojë shumë nga ai i paraardhësit të tij Donald Trump, i cili u përball me Princin e Kurorës autoritar, duke thënë: “Nuk do të ketë foto të buzëqeshura ose përqafime të ngrohta.” /Deutsche Welle