Vitia: Mitrovica Veriore e Zveçani hynë në karantinë sipas udhëzimeve të OBSH-së

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media  ka folur lidhur me vendimin për izolimin e Mitrovicës Veriore dhe Zveçanit.

Vitia tha se për këto komuna janë marrë masa në bazë të protokollit.

“Për komunat në veri të Kosovës janë marrë masat të cilat sipas protokollit tashmë janë paracaktuar nga epidemiologët. Veprimet për rastet e infektuara në parandalimin e përahpjes janë të paracaktuara nga OBSH dhe të njëjtin protokoll po e përdorin edhe profesionistët tanë”, tha ai.

“Jemi në dijeni për deklaratat sot, edhe të karakterit politik, por po kërkoj sot si kudo në botë që të jemi solid dhe të kemi mirëkuptim me njëri-tjetrin. Pandemia është një kërcëncim dhe luftimi i saj kërkon durim, përkushtim dhe injorim të dallimeve të mundshme”, ka shtuar Vitia.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 135 raste me COVID-19.

Edhe UD Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sot ka thënë se këto komuna u izoluan me vendim të institucioneve kosovare.

Sot, presidenti i Kosovës, HashimThaçi  ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për papërgjegjshmëri në komunat veriore.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk guxon të lejojë që komunat në pjesën veriore të Kosovës të funksionojnë jashtë kontrollit menaxhues të institucioneve dhe organeve kompetente për parandalimin e pandemisë COVID-19, duke iu krijuar kështu hapësirë ilegale vepruese autoriteteve të Serbisë brenda territorit të shtetit tonë”, ka thënë ai.

Edhe opozita ka drejtuar të njëjtat kritika drejt Qeverisë për këtë.

Pesë raste të reja me coronavirus në Mitrovicë të Veriut