VIDEO: Rrahja e gjyqtarëve pas ndeshjes Vitia – 2 Korriku

Më 29 nëntor gjyqtarët që ndanë drejtësinë në ndeshjen e futbollit Vitia – 2 Korriku ishin rrahur pas përfundimit të lojës, e vlefshme për Ligën e Parë Grupi B.

KALLXO.com pati raportuar për rrahjen e gjyqtarit kryesor Fatmir Tahiri dhe anësorëve Fatmir Abrashi dhe Fisnik Rama.

Gjyqtari i ndeshjes Fatmir Tahiri në një prononcim për KALLXO.com përgjegjës për sulmin ndaj tyre kishte bërë zyrtarët e klubit Vitia.

“Pasi ka përfundu ndeshja na kanë sulmu katër persona, dy prej të cilëve i njohim, na kanë sulmu zyrtarët e klubit. Na kanë sulmu te tre gjyqtarët edhe anësorët Fatmir Abrashin dhe Fisnik Ramën. Te tretë jemi të sulmuar. Arseye nuk kanë pasë me na sulmu, loja mirë u kry veçse pse humben 1-2, për kurgjo tjetër. Për momentin jemi tu marrë ndihmë në ambulantë tasht kemi me shku me dhanë deklaratë në polici. Anësori Fisnik Rama ka më shumë lëndime, ka marramendje në kokë”, ka treguar gjyqtari Fatmir Tahiri për KALLXO.com.

Kurse, zëdhënësi i Policisë në rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, pati konfirmuar se dy persona ishin ndaluar dhe janë marrë në pyetje nga Policia e Kosovës në lidhje me rastin.

KALLXO.com, ka siguruar pamje ekskluzive nga rrahja e gjyqtarëve pas përfundimit të ndeshjes, të cilën e fituan mysafirët.