Tetova - Foto: REL

Versioni i kryetarit të Komunitetit Bektashian të Maqedonisë së Veriut për atë që ndodhi me dervishët në Tetovë

Sot Komuniteti Bektashian i Kosovës ka njoftuar për një tentim uzurpimi, siç e ka quajtur, të teqesë Harabati Baba në Tetovë.

Në një komunikatë Komuniteti ka thënë se dy dervishët bektashinj të teqesë, dervish Abdylmytalibi dhe dervish Hyseni,  po mbaheshin në Polici.

Lidhur me këtë KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e Komunitetit Bektashian në Maqedoninë e Veriut, Arben Sulejmani.

Ai ka dhënë versionin e tij për ngjarjet e sotme.

Sulejmani ka thënë se ka kohë që kjo teqe është duke pasur probleme me një grup njerëzish që, sipas tij, janë forcë destruktive kundër Kryegjyshatës Botërore.

“Gjithë ky problem fillon nga një grup që e quan veten bektashian, janë bektashianë ose mund të thuash edhe ka prej tyre të cilët e kanë një kronologji bektashiane. Është grup që është forcë destruktive kundër Kryegjyshatës Botërore” – tha Sulejmani për KALLXO.com.

“Ne Policisë së shtetit, realisht Policisë në Tetovë dhe Prokurorisë, i kemi paraqitur se në 3 muajt e fundit ka provokime të ndryshme nëpërmjet rrjeteve sociale dhe kishte një shkrim ku tregohej se do të vinin në teqenë Harabati dhe do të bëjnë një ceremoni që është ashurja. Ashurja është ëmbëlsirë që bëhet pas 10 ditësh agjërimi” – ka shpjeguar Sulejmani.

Sipas tij, ky grup e ka zgjedhur qëllimisht këtë datë – ditën e sotme. “Ky grup e ka gjetur një datë të caktuar që është data 8 ku dihet se kryegjyshi është i angazhuar në Tiranë dhe njëherit dervishët tonë shkojnë atje” – ka thënë ai.

Sulejmani po ashtu ka thënë se Policia ka qenë e njoftuar më herët për këto provokime.

“Me datën 4 dhe 5 ne e kemi informuar Policinë dhe Prokurorinë e Tetovës se ka një iniciativë të një grupi që mund të ndërhyjë dhe duan të bëjnë një ashure brenda në teqe pa lejen e Kryegjyshatës dhe pa lejen e Kryegjyshit. Mbas asaj, në ditën e sotme ndodhi që vjen policia nga ora 1 deri në orën 3, sepse ata (grupi) ishin paraqitur se në orën 1 do të vijnë. Dhe nga ora 1 deri në ora 3 e neutralizon situatën, kështu që nuk lejohen këta persona të hyjnë brenda, dhe pas një kohe dikund ora 2:30 – 3:00, merren dervishët tanë” – është shprehur Sulejmani, i cili ka shtuar se dervishët janë marrë si palë që janë në konflikt, kurse pjesëtarët e grupit tjetër nuk janë marrë nga Policia.

Sipas Sulejmanit, njëri nga dervishët ka ndenjur në Polici për tre orë e gjysmë ose katër, ndërsa tjetri për katër orë e gjysmë.

“Pala tjetër e ka shfrytëzuar këtë rast, i është dhënë mundësia që të hyjë në teqe sa nuk janë dervishët aty dhe mbas kohës kur lirohen dervishët ai grup përdorën një lloj fuqie të veten duke gjetur gra dhe dy dervishë dhe i kanë përdorur duke e marrë ashurën…” – ka thënë ai.