Foto: ZPRK

Thaçi nuk përjashton mundësinë e dërgimit në Kushtetuese të çështjes së mandatarit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar paqartësitë kushtetuese dhe ligjore për formimin e institucioneve të reja si dhe të hapësirës kohore që ka partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit për të propozuar mandatarin për formimin e qeverisë.

Kështu kanë deklaruar zyrtarë nga Presidenca e Kosovës.

“Përgjegjësia kushtetuese e presidentit është funksionalizimi i institucioneve. Ai është garantues i funksionimit kushtetues e demokratik dhe është i obliguar të ndërmarr çdo hap të nevojshëm për ta përmbushur këtë detyrim të tij, duke mos përjashtuar edhe kërkesat drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çdo paqartësi kushtetuese dhe ligjore në shërbim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja”, raporton Ballkan Insight.

Sot janë bërë një javë që nga takimi Thaçi-Kurti, takim në të cilin janë dakorduar që Kurti t’ia përcjell përmes një letre Thaçit mandatarin për formimin e qeverisë së re.

Të premten presidenti Thaçi përmes një letre dërguar Kurtit, i ka kërkuar që sa më shpejt t’ia dërgojë emrin për mandatarin.

Ndërsa në një përgjigje që Kurti sot i ka dhënë Thaçit, thotë se nuk mund t’i bëhet presion për formimin e ekzekutivit të ri kosovar.

Në fund, ai ka njoftuar se negociatat për koalicion me LDK-në janë në fazën e fundit.