Tetë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Policinë e Kosovës.

Rastet janë raportuar të kenë ndodhur në Prishtinë, Lipjan, Podujevë, Gjilan, Ferizaj, Prizren, Malishevë dhe Mitrovicë.

Nga këto raste, gjashtë persona të dyshuar janë arrestuar, përderisa një është në kërkim policor.

Një grua në Prishtinë ka raportuar në Policinë e Kosovës se është sulmuar fizikisht nga një burrë.

Sipas raportit policor, viktima nuk ka dashur trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Lipjan, një grua është ankuar në Polici se është se pas një mosmarrëveshje, është sulmuar nga një grua tjetër.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara, sipas Policisë është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Në Podujevë, një grua ka raportuar në Policinë e Kosovës se ish bashkëshorti i saj, i cili gjendet në vuajtje të dënimit, e kishte kanosur përmes telefonit.

Policia njofton se rasti është në procedurë hetimore.

Në Gjilan, forcat e rendit kanë arrestuar një person nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje e kishte kanosur dhe ka tentuar të sulmojë një burrë.

Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Ferizaj është raportuar një rast tjetër i dhunës në familje, ku një grua ka raportuar në Polici se një burrë ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj dhe ka demoluar banesën.

Sipas Policisë, i dyshuari më pas i kishte dëmtuar veshmbathjet e viktimës dhe më pas është larguar nga banesa.

Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit dhe i dyshuari është në kërkim policor.

Në Prizren, Policia ka arrestuar një burrë nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht një grua.

Gjatë kontrollit, Policia tek i dyshuari ka gjetur dhe sekuestruar një armë e ftohtë (thikë).

Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një grua në Malishevë ka raportuar një rast të dhunës në familje. Sipas saj, pas një mosmarrëveshje është kanosur nga një burrë dhe se i njëjti, siç ka raportuar viktima, ushtron dhunë psikike dhe fizike ndaj saj në vazhdimësi.

I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt.

Në Mitrovicë, një grua ka raportuar në Policinë e Kosovës se kishte pasur një mosmarrëveshje verbale me një burrë, teksa shton se ai vazhdimisht ushtron dhunë psikike ndaj saj.

I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.