Tërmeti lë pas një krizë strehimi në fshatra

Dhjetëra banorë nga njësia administrative Prezë ishin mbledhur rreth një kamioni me ndihma të premten pasdite në fshatin Ahmetaq në bashkinë e Vorës, një nga zonat e prekura nga tërmeti vdekjeprurës që goditi Shqipërinë e Mesme të martën.

Shaban Zylfo, 61 vjeç, ish-kapiten në ushtri, doli nga grumbulli i njerëzve me një kuti në dorë dhe telefonoi vajzën e tij, duke e njoftuar se në shtëpi do sillte kos; ndërkohë që nga ana tjetër e receptorit e bija nuk e fshehu habinë.

“Unë jam jashtë, fle në plastmas, çadra duam me fut kokën, çadra është kryesore,” tha Zylfo, i cili është i ve dhe jeton me dy vajzat në fshatin Prezë.

“Ç’më duhet kosi mua kur kam lopë në shtëpi? Unë nuk kam nevojë për kos, unë kam nevojë për shtëpinë,” shtoi ai.

Ashtu si qindra familje të tjera të fshatrave të Prezës dhe Bubqit, shtëpia e Zylfos është shpallur e pabanueshme pas tërmetit 6.4 ballë të shkallës Rihter, që shkaktoi 51 viktima dhe qindra të plagosur.

“Shtëpia është dëmtuar shumë, nga tërmeti i dytë dhe i pari,” tha Zylfo, duke iu referuar një tjetër lëkundjeje sizmike që goditi zonën më 21 shtator.

Ngjashëm me Zylfon, banorët e mbetur të pastrehë në Prezë kërkojnë pajisjen me çadra dhe ndihmë për të rindërtuar shtëpitë, ndërkohë që druhen se dëmet shkatërrimtare që ka sjellë tërmeti në zonat urbane do ta vendosin në plan të dytë fatkeqësinë e tyre rurale dhe ndihmën që mund të marrin nga autoritetet.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, tërmeti që goditi të martën Shqipërinë ishte më i rëndi në dekadat e fundit dhe solli një valë shkatërrimi në rajonin e Durrësit, të Krujës dhe Laçit, duke lënë disa mijëra familje të pastreha.

Dhjetra pallate janë deklaruar të pabanueshme në qytetin e Durrësit dhe banorët e tyre janë zhvendosur, ndërsa autoritetet vlerësojnë nëse ato do të shemben plotësisht ose mund të meremetohen.

Në zonat rurale të Durrësit dhe Krujës, situata shfaqet njësoj shqetësuese, ku qindra shtëpi të inspektuara nga grupe vlerësimit të njësive të qeverisjes vendore janë shpallur të pabanueshme, ndërkohë që banorët po i kalojnë netët me të afërm ose në makina, ndërkohë që presin shpërndarjen e çadrave.

“Në shtëpi kam pasur shembje tavanesh, çatia, plasaritje muresh,” thotë 32-vjeçari Sajet Koldashi, i cili punon si kamarier në një restorant të zonës.

Banorët e fshatit Prezë të Tiranës duke marrë ndihma në ushqime nga “Fundjavë Ndryshe” pas tërmetit. Foto: Gjergj Erebara.

“Kërkesa më urgjente është të paktën një çadër, inshallah bëhet ndonjë gjë për ndonjë shtëpi,” shtoi ai, duke shpjeguar se nusen dhe dy fëmijët i ka strehuar tek të afërmit në fshatin Sauk të Tiranës, ndërsa vetë me dy vëllezërit po fle në makinë.

Ndryshe nga Sajeti, Adriana dhe familja e saj janë të ndërgjegjshëm që çadra nuk është një zgjidhje afatgjatë për strehim. Shtëpia e tyre është dëmtuar që nga tërmeti i 21 shtatorit dhe prej një muaji jetojnë me qira, të cilën e paguajnë me rrogën prej 18 mijë lekësh që merr e motra, Olta në një rrobaqepësi dhe produktet e pakëta bujqësore që shesin.

“Kur erdhi ekspertiza që e pa, e verifikoi dhe na tha këtu nuk banohet,” kujton Adriana. “Na sollën çadër, nejtëm në çadër për një muaj. Çadra, çfarë binte jashtë, binte mrena,” shtoi ajo.

Asllan Tereziu, punonjës në njësinë administrative Prezë i tha BIRN se pas tërmetit ishin ngritur disa grupe pune dhe ishin inspektuar 7 fshatra. Sipas tij, në këtë zonë ka familje që janë në çadër që nga tërmeti i 21 shtatorit.

“Janë 10-12 familje në kufi me Bubqin që i kanë çadrat që nga tërmeti i parë,” tha 63-vjeçari.  “Nga 21 shtatori deri tani në çadër kanë mbetur, nuk ka vënë dorë kush,” shtoi ai.

Sipas Tereziut, njësia e administrative fqinje e Bubqit është goditur dhe më rëndë nga tërmeti, me qindra shtëpi të pabanueshme dhe shumë banorë të pastrehë.

Në Prezë zona më e dëmtuar është lagja Balaq, ku 50 shtëpi janë dëmtuar ndërkohë që 35 prej tyre janë cilësuar si të pabanueshme.

“Kemi thuajse katër ditë që flemë jashtë,” tha Qemal Hoxha, banor i lagjes Balaq të Prezës, ndërsa tregonte dëmin e shkaktuar nga tërmeti në shtëpinë e tij 80 vjeçare.

“Unë për sheqer, për makarona, për voj nuk kam pasur nevojë asnjëherë, sepse faleminderit prej zotit kam punuar, por ajo që më intereson më shumë është që të vijë dikush që të vlerësojë dëmin,” shtoi ai.

Fiqerete Hoxha dhe 12 pjesëtarët e familjes së saj të madhe – përfshi 5 fëmijë të vegjël, ditët e fundit i kanë kaluar në një çadër të vendosur në oborrin e shtëpisë.

“Shiu qull na ka bo, na ka ra mromë shiu dhe batanijet i kena fut me i la se kishin ra përdhe në baltë,” shpjegoi ajo. “Unë dua veç një çadër [tjetër] që të mos më kapi shiu fëmijët e vegjël, sepse edhe ai vogli pyet: ‘nona a ka vdek tërmeti.’”

Banorët e Prezës duke marrë ndihmat e shpërndara nga “Fundjavë Ndryshe:. Foto: Gjergj Erebara.

Te fqinji i Fiqeretes, Bajram Imami, tenda po instalohej nga i biri që kishte ardhur nga Tirana. Tërmeti ka lënë dëme të konsiderueshme në strukturën dhe çatinë e shtëpisë modeste të 83-vjeçarit dhe ai është detyruar t’i mbështjellë tjegullat me plastmas.

“Duke pas këtë televizor, atë frigorifer, dje kam harxhuar 200 mijë lekë  sepse tjegullat ishin të thyme të gjitha,” tha 83-vjeçari, ndërsa insistonte të sajdiseshim me nga një gotë raki.

“Kam shkuar në Maminas dhe kam marrë plastmasin dhe e kam vendos të paktën me ruajt orenditë, jo me ruajt shtëpinë se tërmetit s’kena çfarë me i bo, nuk varet nga ne,” shtoi ai.

Nusja e një prej djemve të Fiqeretes, Edlira – bashkëshorti i së cilës punon si emigrant në Greqi,  është ende e traumatizuar nga tërmeti që i ka dëmtuar shtëpinë.

“I kam nxjerrë të tre nga dritarja, që me zor e hapa se kishte ngec,” tha nëna e tre fëmijëve, duke shpjeguar se dera kryesore e shtëpisë ishte bllokuar nga lëkundjet sizmike.

“Kam hedhur të voglin, dhe kam kap dy të tjerët, po shyqyr çuni është i shkathët dhe doli vetë,” shtoi ajo,

Edlira tregon se vajza e saj 13-vjeçare është aq e stresuar sa nuk hyn në shtëpi dhe madje as nuk i afrohet oborrit nga trauma që ka pësuar nga tërmeti.

“Ka njerëz që kanë humb familjarët, po edhe në të shkretët të gjithë po kalojmë një situatë shumë të keqe. E gjithë Shqipëria,” përfundoi ajo. (Reporter.al