Klasa ku është mbajtur testi i maturës Foto: MASHT

Tekstet serbe të historisë me “një këndvështrim të njëanshëm” të luftërave të viteve ‘90

Tekstet shkollore serbe ofrojnë një këndvështrim të njëanshëm të konflikteve ballkanike, duke portretizuar serbët si viktimat kryesore të krimeve të luftës dhe duke shpërfillur viktimat nga grupet e tjera etnike, tha Fondi për të Drejtën Humanitare me bazë në Beograd.

 

OJQ-ja Fondi për të Drejtën Humanitare tha në një dokument politikash të botuar të hënën se mësimet mbi luftërat e viteve 1990 në ish-Jugosllavi duhet të bazohen në fakte të vendosura nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës në Hagë dhe se duhet të çrrënjosë paragjykimin.

FDH tha se hulumtimi ka treguar se nxënësve në Serbi aktualisht po u ofrohet një këndvështrim i njëanshëm i luftërave jugosllave nga tekstet shkollore dhe mësimet.

“Tekstet shkollore i paraqesin krimet e luftës të kryera gjatë viteve 1990 në një mënyrë sipërfaqësore dhe të njëanshme, me një zgjedhje selektive të informacionit të përdorur për të portretizuar kombin serb si viktimën kryesore e konflikteve të armatosura. Në të njëjtën kohë, tekstet shkollore zakonisht shpërfillin vuajtjet e grupeve të tjera etnike ose përgjegjësinë e pjesëtarëve të forcave serbe për të”, thuhet në dokument.

Ai argumenton se programet mësimore të historisë për shkollat ​​fillore dhe të mesme duhet të zhvillohen bazuar në “fakte dhe dokumente të vërtetuara në mënyrë gjyqësore” nga arkivat e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe pasardhësi i saj, Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare.

Kjo duhet të garantojë “përfaqësim të ekuilibruar të krimeve të luftës të kryera gjatë luftërave të viteve 1990, që merret në mënyrë kritike me krimet e kryera nga forcat e armatosura dhe policore serbe dhe një qasje multi-perspektive në mësimdhënien e historisë”, shton ai.

Në shkollat serbe, historia e shpërbërjes së Jugosllavisë mësohet në klasën e tetë në shkollat fillore (kur fëmijët janë të moshës 14 vjeçare) dhe në vitin e tretë ose të katërt në shkollat e mesme (mosha 17 ose 18 vjeçare), në varësi të llojit të shkollës.

“Programi mësimor për klasën e tetë të shkollave fillore përfshin disa tema të lidhura me shpërbërjen e Jugosllavisë: ‘Lufta Civile dhe Krijimi i Shteteve të Reja’, ‘Krimet e Luftës’, ‘Vuajtjet e Civilëve’, ‘Agresioni i NATO-s kundër Republikës Federale të Jugosllavisë’ dhe ‘Pasojat e Luftërave’. Ndërsa ofron një hapësirë për diskutimin e krimeve të luftës, ajo humbet mundësinë për të ofruar udhëzime të mëtejshme për mësuesit”, thotë dokumenti i politikave.

Programi mësimor i historisë për nxënësit e shkollave të mesme “ndjek një model shumë të ngjashëm”, shton ai.

“Kur mësimi trajton humbjet njerëzore, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës, ai ose nuk specifikon se kush ishin viktimat (‘Spastrimi Etnik’) ose diskuton vetëm krimet kundër serbëve etnikë (‘Spastrimi Etnik’, ‘Operacioni Flash’, “Operacioni Stuhia”). Krimet ku viktimat ishin anëtarë të grupeve të tjera etnike nuk përmenden”, shpjegon dokumenti.

“Përqendrimi vetëm te viktimat serbe arrin kulmin në një nga aktivitetet e rekomanduara për mësuesit, i cili citon se një mësues duhet ‘të dënojë vrasjet dhe ekzekutimet ende në vazhdim të serbëve në Kosovë dhe Metohi, të cilët pretendohet se mbrohen me marrëveshje të cilat nuk zbatohen në praktikë’,” thotë dokumenti. / ballkaninsight