Ilustrim

Të paktën 24 të vdekur nga vërshimet dhe rrëshqitja e dheut në Indi

Të paktën 24 persona kanë vdekur, nëntë prej të cilëve si pasojë e shembjes së një tempulli, dhe dhjetëra të tjerë janë zhdukur gjatë vërshimeve dhe rrëshqitjes së dheut pas shirave të rrebeshtë në Indi, njoftuan zyrtarët të hënën.

Shirat e vrullshëm prej disa ditësh i kanë rrënuar ndërtesat dhe shkatërruar urat në shtetet veriore, Uttarakhand dhe Himachal Pradesh.

Vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut janë të zakonshme dhe shkaktojnë shkatërrim të madh gjatë sezonit të shirave në Indi, por ekspertët thonë se ndryshimi klimatik është duke e rritur shpeshtësinë dhe ashpërsinë e tyre.

Sukhvinder Singh Sukhu, shefi i qeverisë së shtetit më të prekur, Himachal Pradesh, tha se të paktën 16 persona humbën jetën në 24 orët e fundit, përfshirë nëntë nga shembja e një tempulli hindu në kryeqytetin e shtetit, Shimla.

“Administrata lokale është duke punuar me zell për t’i larguar mbetjet, në mënyrë që t’i shpëtojë njerëzit të cilët kanë mbetur të ngecur”, tha Sukhvinder Singh Sukhu.

Sukhu u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë brenda shtëpive të veta dhe të mos shkojnë afër lumenjve. Shkollat në këtë shtet janë mbyllur, njoftoi ai.

Në shtetin Uttarakhand, ekipet e shpëtimit vrapuan për t’i larguar mbetjet, pasi druhet se ka njetëz të ngecur nën to pas rrëshqitjes së dheut si pasojë e shiut të madh.

Të paktën tetë persona janë vrarë që nga e premtja në këtë shtet, thanë zyrtarët.

Sezoni i shirave ia sjell Azisë Jugore rreth 80 për qind të shirave vjetore dhe është jetësore për bujqësinë dhe mjetet jetësore të miliona njerëzve. Por, njëkohësisht, sjell edhe shkatërrim çdo vit në formë të vërshimeve dhe rrëshqitjes së dheut./REL