Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri i AAK-së: Kjo qeveri po shihet se e ka zhurmën si tupan e punën askund

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kritikuar qeverinë Kurti për mos publikim të planit qeverisës.

Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar, në një konferencë për media tha se qeveria Kurti po shihet si qeveri që bënë zhurmë e nuk punon.

“Sot janë bërë dy muaj prej kur kanë përfunduar zgjedhjet dhe qeveria Kurti është duke qeverisur pa program, po e shohim që kjo qeveri është e pushtetit dhe jo e shtetit. Kjo qeveri po shihet se e ka zhurmën si tupan e punën askund”, tha Tahiri.

Sipas Tahirit, qeveria Kurti në vend se të punoj për program po angazhohet për fushatën në Shqipëri.

“Njëkohësisht po shohim që po ka kohë që të shkon në fushata në Shqipëri, vendin ta mbyll dhe të mos merret me detyrat prioritare dhe të mos qeverisë me program të hapur e transparent dhe nën mbikëqyrje të Kuvendit dhe është në formë transparente i ndarë me akterët e tjerë”, tha ai.

Teuta Haxhiu, anëtare e kryesisë së AAK-së e konsideroi shqetësues faktin që qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk ka publikuar planin qeverisës.

“Një strukturë e cila ka kapacitetin t’i fitoj zgjedhjet do të duhej të kishte edhe kapacitetin për të marrë përgjegjësi që nga dita e parë e qeverisjes. Jemi në përmbyllje të muajt të parë të kësaj qeverie, ne ende nuk kemi program qeverisës, kjo është shqetësuese jo vetëm për ne si subjekt opozitar, por edhe qytetarët e vendit”, tha ajo.

Për Haxhiun, qeveria Kurti deri më tani ka bërë vetëm veprime popullsite si dhe ka dëmtuar demokracinë.

“Ne kemi parë veprime populliste, lëndim të raporteve me shtetin tonë amë të cilat janë kritikuar nga qytetarët. Si është e mundur që të mbyllësh shtëpinë tënde, ndërsa në anën tjetër të shkosh në shtetin amë duke dëmtuar edhe demokracinë”, theksoi ajo.

Në konferencën për media, ajo tha se qeveria duhet të jetë transparente dhe të tregoj për programin qeverisës.

“Të na informoj se ku ka arritur me atë program qeverisës, kur do ta shohim ne dhe qytetarët programin qeverisës. Qeveria të përfshihet në baza të rregullta në debatet publike me media dhe përfaqësues të opozitës, përfshi proceset vendimtare edhe ekspert dhe organizata të shoqërisë civile”, shtoi ajo.

Më 22 mars është votuar qeveria Kurti 2, plani qeverisës 4 vjeçar ende nuk është publikuar.

Ndërsa në fundjavë, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se kanë punuar me kabinetin qeveritar hartimin e programit qeverisës dhe planit të veprimit për 4 vitet e ardhshme.

Kritikohet angazhimi i qeveritarëve të Kosovës dhe i zyrtarëve të LVV-së në fushatë në Shqipëri