Arkiv: Ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Jugut

Suspendime e emërime në zyrën e prokurimit në Komunën e Mitrovicës së Jugut

Kushtrim Mehaj është emëruar ushtrues detyre i shefit në zyrën e prokurimit në Komunën e Mitrovicës së Jugut.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Kryetari i Komunës Bedri Hamza, i cili potencoi se ish shefi i prokurimit Haxhimet Ferati është suspenduar.

“Ish Shefi i Zyrës së Prokurimit, Haxhimet Ferati ka aktakuzë dhe është në proces gjyqësor. Në momentin kur një shërbyes civil ka një aktakuzë për një çështje të caktuar pa paragjyku fare fundin e atij procesi, unë jam i detyruar në procedurë me marrë vendim për suspendim. Është i suspenduar. Në vend të tij është ushtrues detyre, Kushtrim Mehaj i cili është i certifikuar dhe e ka dokumentacionin, sepse aty nuk mundet gjithkush me shku”- ka thënë Hamza.

I pari i Mitrovicës shtoi se komuna nuk ka fare drejtori të prokurimit.

“Komuna e Mitrovicës nuk ka drejtori të prokurimit fare. Me ligj, me statut të Komunës së Mitrovicës, Drejtoria e Prokurimit nuk është drejtori. Ka veç staf civil profesional. Në komunë të Mitrovicës aktualisht janë veç dy vetë që i kanë certifikatat prej KRPP-së e OSHP-së që munden me e kry punën e prokurimit. Kosovare Hajdini ka qenë për gjashtë muaj ushtruese e detyrës së këtij pozicioni, i ka skadu gjashtë muajshi që ka qenë e vendosur. Realisht janë pak por aty pa i pasë certifikatat e senet aty as nuk mundesh me nënshkru dokument as me zhvillu procedurë”- ka thënë Hamza.

“Po të ekzistonte kjo drejtori ai thotë se do ta emëronte kë ai do ta vlerësonte se duhet ta emërojë “Me qenë shef ose udhëheqës, ushtrues detyre i shefit, nuk mundesh ti me emëru se nesër me u kry procesi edhe me dalë personi që të kallxova ai kthehet në vendin e vet të punës”- tha kryetari.

E lajmin se Kushtrim Mehaj është emëruar nga kryetari ushtrues detyre i shefit të prokurimit e ka konfirmuar vetë ai.

“Që nga data 10.06.2024 jam i emëruar me vendim të kryetarit, ushtrues detyre i shefit të prokurimit. Prej vitit 2009, jam zyrtar i komunës. Kam punu në sektor të mirëqenies, sektor të arsimit, tani në sektor të prokurimit”- tha Mehaj për KALLXO.com

KALLXO.com ka kontaktuar edhe ish shefin e prokurimit, Haxhimet Ferati mirëpo nuk ka qenë i qasshëm në telefon.