Studiuesi Shaban Murati boton librin “Vetëvrasja diplomatike e Shqipërisë dhe Kosovës”

Diplomati dhe studiuesi i njohur shqiptar, Shaban Murati, sapo ka botuar në Tiranë librin “Vetëvrasja diplomatike e Shqipërisë dhe e Kosovës”.

Libri trajton marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri – Kosovë në tre vitet e fundit, si dhe raportet e tyre me Serbinë, SHBA-të dhe BE-në.

Autori thekson se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë në pikën e tyre më të ulët.

Ambasadori Shaban Murati thotë se titullin “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe Shqipërisë” e ka vendosur me dhimbje mbi libër, sepse diplomacia e të dy vendeve ka ecur në rrugë të gabuar tre vitet e fundit, duke marrë, përqafuar dhe adoptuar tezat, qëndrimet, politikat dhe kushtet e e diplomacisë serbe dhe ruse.

Por ky është realiteti i hidhur dhe është fakt se marrëdhëniet politike e diplomatike mes Shqipërisë dhe Kosovës janë aktualisht në pikën e tyre më të ulët, që nga koha kur është krijuar shteti i pavarur i Kosovës më 17 shkurt 2008.

Dhe fajin për këtë e ka Shqipëria, bazuar në gjithë analizat e 3 viteve të fundit, thekson zoti Murati.

“Shqipëria për fat të keq, në 3 vitet e fundit kanë qenë pala negative e fushës diplomatike. Pra, Shqipëria ka bërë lojën e tjetër kujt. Kemi një situatë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës që e pafalshme, sepse ka dëmutra kohezionin e faktorit shqiptar, dhe kjo ka shkuar në funksion të strategjisë serbe për të mos lejuar që faktori shqiptar në rajo i dy shteteve shqiptare të bëhet faktori dominues në rajonin e Ballkanit perëndimor” – thotë zoti Murati.

Ambasadori Murati thotë se ky nivel i ulët marrëdhëniesh midis Shqipërisë dhe Kosovës kryesisht vjen nga presioni i fortë i Serbisë, e cila, gjatë mandatit të dytë të qeverisë së Shqipërisë ka gjetur një terren tepër të përshtatshëm për një ofensivë dhe për një imponim të ideve, tezave dhe qëndrimeve jopozitive të qeverisë dhe të diplomacisë serbe.

Shqipëria ka mbështetur zyrtarisht dhe publikisht qëndrimet e Serbisë, ndaj shton ai, ky qëndrim solli një çarje midis publikut shqiptar si dhe midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës.

Në libër trajtohet gjerësisht ajo që autori e quan Doktrina Presidentit amerikan Biden për Ballkanin, që me pak fjalë përmblidhet në luftën kundër korrupsionit si interes strategjik dhe kundër atyre politikanëve që destabilizojnë rajonin, si dhe qendërzimi i dialogut Kosovë – Serbi.

“Ky RoadMap që jep Presidenti Biden, të cilin e përsëriti në muajin mars edhe sekretari Blinken, tregon që doktrina Biden është doktrina e vërtetë e zgjidhjes diplomatike së problematikës së Ballkanit, përfshirë edhe dialogun midis Serbisë dhe Kosovës. Prania dhe veprimtaria e diplomacisë amerikane, e institucioneve amerikane, e shtetit amerikan në Ballkanin Perëndimor dhe në gjithë Ballkanin është shumë pozitive për zhvillimin e demokracisë, për stabilitetin e gjithë shteteve të Ballkanit dhe për orientimin e tyre veri-atlantik. Në të njëjtën ajo është barriera më efikase, barriera e vërtetë që mund të ndalojë ndërhyrjen, diversionin, subversionin, gjithnjë e më të intensifikuar të Rusisë në shtetet ballkanike. Barrikada reale diplomatike, politike, ushtarake e në të gjithë fushat është prania, interesi i institucioneve dhe shtetit amerikan në Ballkanin Perëndimor” – thotë zoti Murati.

Studiuesi i njohur dhe autor i një serie botimesh për diplomacinë e Ballkanit, Rusisë dhe Greqisë, ambasadori Murati thekson se është për t’u vlerësuar përpjekja e qeverisë së re të Kosovës për të luftuar korrupsionin e brendshëm dhe për të vendosur barazi në raportet me Serbinë.

Ai thotë se bisedimet qëllimisht të stërzgjatura Kosovë – Serbi në Bruksel mbi 20 vjet me ndërmjetësimin e BE-së janë një rrotullim në vend për të ardhur keq.

Zoti Murati shton se BE-ja nuk ka patur kohezion, e as vullnet diplomatik as politik për ta zgjidhur listën e temave mes Serbisë dhe Kosovës dhe se BE-ja nuk ka qenë dhe as do të jetë në gjendje t’i japë rrugën e duhur këtij dialogu, ndaj duhen mbajtur sytë nga doktrina Biden dhe angazhimi amerikan në rajon, si dhe nga integrimi i vendeve ballkanike në institucionet euro-atlantike.

“Shpresa është që duke u anëtarësuar gjithë Ballkani perëndimor në BE, ky proteksion i BE-së ndaj Ballkanit do të jetë akoma më pozitiv, por mendimi im është që mbrojtja më e madhe e Ballkanit perëndimor do të jetë kur të gjithë shtetet e Ballkanit perëndimor të jenë anëtarë të NATO-s, përfshirë Bosnje-Hercegovinën, Kosovën dhe Serbinë, e cila është gropa e zezë e arkitekturës së sigurisë në Ballkan” – thotë zoti Murati.

Autori thekson se modelimi i Ballkanit me standarte perëndimore kërkon një forcë bindëse teorike, por kërkon edhe një forcë praktike, të cilën e përfaqësojnë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, mesazhi kryesor i librit “Vetëvrasja diplomatike” është që Shqipëria dhe Kosova duhet të ecin me këmbët e veta, të bëjnë shtete të pavarura reale, që të kenë integritetin e tyre. Në mënyrë të veçantë udhëheqësit duhet të kenë integritetin e tyre shtetëror kombëtar dhe personal, gjë që, sipas tij, udhëheqësve të Shqipërisë u ka munguar 30 viteve të fundit./ VOA