Studentët e UP-së përfaqësojnë Kosovën në Francë

Desantila Muriqi, Elsa Hyseni dhe Kurbin Shala, studentë të Departamentit të Frëngjishtes në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, e kanë përfaqësuar Kosovën në mesin e 33 shteteve në stazhin një mujor të qendrave ndërkombëtare frankofone në Francë.

Sipas një njoftimi për media, ata së bashku me të rinjtë e vendeve të tjera të botës, udhëtuan në shtatë qendra të ndryshme të Francë.

Me këtë rast, studentja Desantila Muriqi ka thënë se e kanë prezantuar Kosoës tek të rinjtë e tjerë pjësëmarrës.

“Në fillim nuk e kishin idenë se ku ndodhet Kosova, por pastaj e mësuan dhe ndihesha shumë e lumtur kur i shihja të interesuar, kur vallëzonim së bashku Shotën, kur dëshironin të mësonin fjalë në gjuhën tonë të bukur dhe kur iu pëlqente shija e leqenikut me speca me mazë”,  ka shtuar ajo.

Për studentin tjetër, Kurbin Shala kjo vizitë paraqet eksperiencën më të kuptimtë të krijimit të tij individual dhe kulturor.

“Kjo vizitë ka ndikuar në pjekjen time emocionale dhe ngritjen intelektuale. Ky stazh më ka ndihmuar të kuptoj se sa të njëjtë jemi ne të rinjtë, edhe pse vijmë nga vende të ndryshme, raca e religjione të ndryshme, apo që jetojmë larg. Kjo më ka bërë t’i harroj paragjykimet ndaj shumë nacionaliteteve të ndryshme dhe të krijoj shumë lidhje të reja miqësie”, tha ai.

Ndërsa Elsa Hyseni këtë vizitë e ka konsideruar si përvojën më përfituese që ka pasur ndonjëherë.

“Jo vetëm se kam mësuar për traditat, zakonet, këngët e vallëzimet e Francës dhe shteteve të tjera, por kam mësuar edhe ëndrrat, shqetësimet e shpresat e të rinjve anë e mbanë botës, të cilat na kanë afruar më shumë me njëri-tjetrin. Pasi që kam pasur një përgjegjësi më të madhe sesa pjesëmarrësit, kam mësuar edhe se si ta menaxhoj një grup, si të bëj provë autoriteti dhe në të njëjtën kohë t’u përshtatem kërkesave të secilit”, tha ajo.

Ky organizim është mundësuar nga Qendrat Frankofone Ndërkombëtare dhe është financuar nga Klubi Lions i Francës, i cili synoi lidhjen e miqësisë në mes të të rinjve frankofonë kudo nëpër botë. Pjesëmarrja e studentëve tanë është realizuar nga Qendra Universitare Frankofone në UP.