Shqipëri - E mori për ta rritur si bijë, 13 vjeçaren e përdhunoi, e rrahu dhe e mbajti mbyllur për dy muaj

 

Detaje të tjera shokuese nga historia e përdhunimit të 13 vjeçares nga fshati Vërdovë i Pogradecit, raporton Ora News.

46 vjeçari i cili ishte çoban ka shfrytëzuar gjendjen tejet të rëndë ekonomike dhe paarsiminin e prindërve për të marrë 13 vjeçaren me pretendimin se do kujdesej për të, ta ushqente, ta rriste dhe ta mbronte atë.

I ati ishte me aftësi të kufizuara mendore ndërsa e ëma pa punë, dhe e paarsimuar.

B. B. e ka marrë vajzën më 30 korrik 2020, pikërisht ditën e Bajramit. Po atë ditë e ka dhunuar dhe përdhunuar vajzën.

Prej asaj dite ai e ka mbajtur vajzën të mbyllur në shtëpi duke mos e lejuar të dilte jashtë.

Siç raporton Ora News, i dyshuari familjarëve u thoshte se vajza ishte mirë dhe se qëndronte në shtëpi me vajzën e tij biologjike një vit më të madhe se 13 vjeçarja.

“E ka mbajtur vajzën nën kërcënim duke e mbyllur, rrahur dhe përdhunuar”, raporton Ora News.

Ferri i të miturës mori fund vetëm dje kur vajza kishte arritur të dilte nga shtëpia dhe të bënte denoncimin tek polici i zonës.