Presidenti i SHBA-së, Joe Biden
SHBA-ja jep 300 milionë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar më 31 maj se do ta furnizojë Ukrainën me një pako të ndihmave ushtarake në vlerë prej 300 milionë dollarësh. Në këtë pako përfshihen sisteme të mbrojtjes ajrore, municione dhe pajisje të tjera mbrojtëse.
Pentagoni bëri gjithashtu të ditur se kjo është hera e 39-të që dërgohen pajisje nga inventarët e Departamentit amerikan të Mbrojtjes. Në mesin e pajisjeve do të jenë edhe bateri për sistemin e mbrojtjes ajrore Patriot, sistemet e mbrojtjes ajrore Stinger e municione tankesh.
Gjithsej, SHBA-ja ka dhënë më shumë se 38.3 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën që nga fillimi i qeverisjes së administratës të presidentit të SHBA-së, Joe Biden, përfshirë më shumë se 37.6 miliardë dollarë që nga nisja e pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit të kaluar.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët e tyre për t’ia mundësuar Ukrainës përmbushjen e nevojave të saj të menjëhershme në fushën e betejës dhe kërkesat për asistencë afatgjatë të sigurisë”, thuhet në deklaratën e Pentagonit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë udhëhequr iniciaticën me ndihma të paprecedenta të NATO-s dhe vendeve të tjera aleate për ta furnizuar Ukrainën me armatim dhe ndihma të tjera ushtarake.
Ndihmat e fundit ushtarake vijnë përderisa Ukraina po përgatit një kundër-ofensivë që synon t’i largojë forcat ruse nga pjesët e pushtuara në lindje dhe jug të Ukrainës.
Pentagoni tha se pakoja prej 300 milionë dollarësh përfshin raketa të mbrojtjes ajrore AIM-7, sistemet e mbrojtjes ajrore Avenger, municion për sistemet raketore HIMARS, fishekë artilerie, municion tankesh dhe raketa avionësh.
Pentagoni bëri të ditur se në këtë pako përfshihen edhe më shumë se 30 milionë fishekë të armëve të vogla./REL