Ilustrim

Serbët e Kosovës votojnë në zgjedhjet e Serbisë, OSBE bën "grumbullimin e votave"

Serbia do të mbajë zgjedhjet e përgjithshme këtë të diele, më 21 qershor.

Misioni i OSBE-së do të angazhohet që edhe në këto zgjedhje të votojnë serbët e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar shefi i Zyrës për Çështje Politike dhe Komunikim në OSBE, Jeff Bieley, në një përgjigje për KALLXO.com.

“Më 21 qershor, Misioni i OSBE-së në Kosovë do të udhëheqë grumbullimin e votave në lidhje me zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Ky operacion do të ndjekë praktikën dhe modalitetet e zbatuara sikurse në vitin 2017”, tha Bieley.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka lehtësuar procesin e votimit të serbëve të Kosovës për zgjedhjet parlamentare të Serbisë më 24 prill 2016.

Ndërkaq, për këto zgjedhje ende nuk është deklaruar Qeveria e Kosovës.

Më 10 qershor, kryeministri Hoti, në intervistën dhënë për Klan Kosova deklaroi se janë duke punuar me këtë situatë, derisa tha se nuk ka përgjigje nëse do të votojnë serbët e Kosovës për zgjedhjet e 21 qershorit.

“Jemi duke u marrë me këtë situatë. Jemi duke i parë praktikat e qeverive të kaluara se si kanë vepruar në këtë rast. Unë kam pasur takime me shefin e OSBE-së, i cili që nga viti 2012 është i ngarkuar me këtë proces. Do t’i analizojmë me kujdes për këtë çështje. Nuk kam përgjigje të menjëhershme për këtë çështje”, u shprehë Hoti.

Zgjedhjet e përgjithshme ishin paraparë që të mbahen më 26 prill, por që për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19 janë shtyrë.

Në anën tjetër, KALLXO.com ditë më parë raportoi se serbët e Kosovës mund të votojnë me datën 21 qershor për zgjedhjet e përgjithshme në Serbi, derisa institucionet e Kosovës ende nuk i kanë shpallur zgjedhjet për 2 komuna që kanë mbetur pa kryetar.

Komuna e Podujevës dhe ajo e Mitrovicës së Veriut kanë mbetur pa kryetar, për shkak që Agim Veliu dhe Goran Rakiq kanë vendosur që të ndërrojnë pushtet, duke kaluar nga ai komunal në ekzekutivin qendror.