Roku në mes lulëzimit dhe zbehjes

Nën tingujt e kitarës e baterisë  shpesh është ngritur zëri  kundër dukurive negative apo janë thurur vargje dashurie e të nostalgjisë.

Me anë të muzikës rok disa nga grupet e viteve 80’  si “Minatori” , viteve 90’ “Troja”, “Jericho” janë revoltuar ndaj problemeve sociale,  padrejtësive e politikës.

Por krahas këtyre nuk kanë munguar as  tekstet që  janë shëndrruar në himne të dashurisë. Edhe pse ky zhanër i muzikës ndër vite ka filluar të zbehet si pasojë e zhvillimit të madh të muzikës hiphop, rap dhe pop, roku  ende  ka dëgjueshmëri dhe ndikim në shoqëri për shkak të temave që trajton.

Por jo çdo herë është e lehtë të bësh art “kryengritës” në një vend në të cilin nuk respektohet liria e shprehjes. Cenzurimi, paragjykimet, injorimet, anashkalimet janë disa nga problemet me të cilat janë ndeshur rokerët që këngën e kanë përdorur si  revoltim ndaj të  padrejtësive.

Kitaristi i grupit “Minatori” Mufail Limani tha  për KALLXO.com, që roku është mjet i shprehjes, fushë e veprimit, protestës dhe revoltës ndaj dukurive negative brenda një shteti. Por sipas tij, ushtrimi i rokut ka qenë shumë i vështirë për shkak të paragjykimeve.

“Ne jemi akuzuar si kulturë perëndimore, si dekadencë, si rini e degjeneruar se në atë kohë roku ka qenë diçka e re për kulturën kosovare, për kosovarët dhe një pjesë e madhe nuk e ka kuptuar çfarë kemi. Çfarë dreqi kemi që po bëjnë zhurmë më ato kitare elektrike­ ? Shumë agresive, me tinguj të ashpër. Ne jemi munduar që  atëherë t’i sjellim ato vlera  që kanë qenë risi dhe revolucionare. Ndërsa tashmë ato gjëra janë bërë rutinore, të mirëqena dhe nuk gjen askënd kundër Rock n’Roll-it. Ndërsa atëherë një shumicë  e popullatës ka qenë  kundër dhe ne kemi qenë realisht minoritet, si një komunitet i vogël, i cili ka pas disa besime të veta dhe ndryshe nga të tjerët” rrëfen Limani.

Për shkak të teksteve kritikuese ndaj politikanëve,  përpos paragjykimeve Mufail Limani njëherazi edhe redaktor në RTK tha se kënga e fundit e tyre “Krejt njëjtë”  nuk transmetohet në mediat e Kosovës.

“Për mendimin tim është një lloj cenzure  ose autocenzurë që mediat dhe ata që merren më afër me muzikë e kanë një konsideratë që është politike. Konsiderata politike ka pas edhe në vitet e 70’ edhe 80’ edhe vazhdon të ketë për fat të keq edhe sot” tha ai.

Kjo këngë u publikua në vitin 2017 nga “Minatori” në të cilën kritikohet qeverisja e Kosovës dhe  politikanët.

Vullnet Sefaja nga grupi “Marigona” tha që roku më herët ka qenë më shumë revoltë por ka pas edhe shumë tekste dashurie.

Ndryshe nga Limani që rokun e tyre e cilëson si agresiv, Sefaja tha që me anë të muzikës së tyre janë munduar të sjellin pozitivitet në shoqëri.

“Ne kryesisht si grup në tekstet tona i kemi përfshirë përditshmëritë tona. Mendoj që ne duhet të bëjmë tekste edhe më pozitive, sepse jeta në përgjithësi  është e mirë” tha ai.

Ky grup njihet për stilin e vecantë të muzikës e sidomos me këngët “Sonte” dhe “Ajshe”.

Roku lulëzimin dhe ndikimin më të madh e ka pasur në vitet 60’, 70’ dhe 80’  kur “shpërthyen” grupet e mëdha të rokut në botë si Guns N’ Roses, The Rolling Stones, Metallica, The Beatles, Journey etj. Këto grupe që kishin audiencë masive, ishin model për grupet rok në trojet shqiptare. Sipas kitaristit Limani, rokun internacional janë munduar që ta përshtatin me një rok i cili do i përshkruante rrethanat në të cilat është gjendur Kosova .

“Nuk kemi  shkuar në imitim të plotë, hajt të bëjmë edhe ne çka kanë bërë ata, por jemi mundur me marrë atë emocionin e tyre energjinë e tyre dhe me e përshtat për veten tonë  dhe me tregu diçka për veten tonë  dhe për rrethanat që i kemi jetuar” tha veterani i muzikës rok.

Ndryshe nga koha që njihej si koha e “Bitëllsave” ose dëgjohej roku i “TNT” në vitet e fundit nuk ka ndonjë grup me të cilin njihet roku i ri. Grupet  e rokut në Kosovë nuk janë shumë aktive. Por gjatë tri viteve të fundit janë rikthyer në skenë disa nga grupet e vjetra.

Grupi “Marigona” është rikthyer në skenë më këngën “Pse s’më le”. Ndërsa Grupi 403 pritet të rikthehet me katër këngë të reja, njëra me titullin “As vet s’e di”. Para një viti u rikthye grupi “TNT” por jo me vokalistin Ferki Shala  por me solistin  e ri Bekim Hallaqi-Belle. “Gjurmët” u rikthye me një koncert në Ditën e Çlirimit të Prishtinës në vitin 2019. Ndërsa, një rikthim të madh e patën  edhe në fund të vitit 2015 me një koncert në Tiranë.

Por, Mufail Limani thotë që edhe me rikthimin e grupeve të vjetra përsëri nuk mundet të gjallërohet roku për shkak të zhvillimit të madh të muzikës pop, rap e hip hop.

“Kjo tash që po e shohim, që po ndodh jo vetëm në Kosovë dominimi i trendeve të Jay Z, nuk kam asgjë kundër asaj muzike, por është  vetem argëtim i pastër dhe  jashtë argëtimit s’ka asgjë. Ato janë pamje të bukura, spote të bukura , vajza te bukura, djem të bukur  por përveç saj nuk shoh që ka përpjekje për të thënë diçka , të përçoj diçka që ta trondis opinionin publik me një ide, me një qëndrim. Sikur pijet alkoolike ose substancat narkotike që nuk ka asgjë përpos kënaqësisë momentale” thekson ai.

Ndërsa këngtari i hitit “Sonte” nuk e quan rikthim në skenë lansimin e  këngës “Pse s’më le” se për shkak të angazhimeve tjera nuk mund të jenë shumë aktiv në skenë. Sipas tij kjo këngë është bërë për shkak se njerëzve iu pëlqen muzika e “Marigonës”.

Lidhur me komercializimin e rokut të sotëm, Limani i cili e ka parë ndryshimet e rokut ndër vite tha se është shnëdrruar në  rok bashkëkohor, por jo komercial.

Sipas tij, roku ka pësuar ndryshime për shkak të ndikimit të madh të teknologjisë, paisjeve të reja muzikore dhe ka humb agresiviteti, brutaliteti dhe energjia e rokut.

Ndërsa Vullnet Sefaja tha që për t’u gjallëruar roku, skena ka nevojë për rokerë të rinj dhe rikthimin muzikantëve të vjetër.

“Unë mendoj që duhet edhe të dalin gjenerata të reja që të ketë edhe më shumë njerëz që merren me muzikë dhe normalisht edhe gjeneratat e vjetra të jenë prezent në skenë. Çdo send që e ka audiencën e vet është komercial, kështu që për të qenë komercial duhet të krijosh një gjë që dëgjohet” tha Sefaja.

Hapësira mediale e rokut mungon në televizionet e Kosovës për shkak të jehonës së madhe të muzikës së re. Mufail Limani tha që edhe atëherë edhe sot mungon hapësira për promovimin e këtij zhanri që nuk e meriton të shuhet.

Disa nga këngët më të njohura të Minatorit janë: “Babai im”, “Shfletoj gazetën”, “Molla me shebet”, “ A thua ëndërr ishe ti”, “Këngë mllefi’, “Nuk besoj në poltikë” etj.

Ndërsa këngët e grupit  “Marigona”  janë : “Sonte”, “Pa ty”, “Mitrovica”, “Ajshe”, “Dea”, “Tash shko”, “Fundi vjen”, etj…

Hapat e parë të rokut në Kosovë janë  vënë në vitet e 1966-67, kur në qytetin e Mitrovicës ishte krijuar grupi  “FAN”.

Albumet e para të rokut  ishin incizuar në vitet e 80’ kur ishte hapur  prodhimi i kasetave në Radio Televizionin e Prishtinës. Incizimet e para iu kishin bërë grupit “TNT”, “Gjurmët” dhe “403”.

“BOOM ” është zina për rokun shqiptar i cili u promovua para tre muajsh në Prishtinë. Me anë të këtij hulumtimi artistik autorët kanë dokumentuar zhvillimin e muzikës rok dhe pop në Kosovë,  duke u fokusuar në festivalin BOOM të mbajtur çdo vit nga 1982 deri më 1987 në Prishtinë.