Rihapet terminali doganor në Trepçë

Pas shtatë vitesh, sot është rihapur terminali doganor i Trepçës në Mitrovicë.

Me rastin e rihapjes, kryeministri i vendit, Albin Kurti në një konferencë për media, e quajti ditë të rëndësishme, pasi sipas tij, kjo e arritur ndihmon të gjithë.

“Sot është një ditë tejet e rëndësishme për të gjithë neve, është një e arritur që na ndihmon të gjithëve, në veçanti të bërit biznes. Një kosto e panevojshme hiqet dhe ato mund të funksionojnë më lirë dhe më mirë. Nga viti 2003 deri në vitin 2014, terminal doganor ka qenë në hapësirën e Trepçës, padrejtësisht e çuditërisht jo hapësira i’ është mohuar për terminal doganor dhe çmimi është shtrenjtuar për 40 euro për maune”, ka thënë ai.

“Shtatë vjet më vonë ne po e bëjmë këtë hapje të terminalit doganor, atë që gjithmonë i ka takuar Trepçës, dhe po e korrigjojmë një dëm të bërë para shtatë vite. Aso kohe mbi 20 punëtorë patën punuar në terminal e pastaj kanë mbetur pa punë kur e patën nxjerr jashtë ”, shtoi kreu i ekzekutivit kosovar.

Kurti tha se hapësira doganore e Trepçës për shtatë vite ishte dhënë privatisht duke shtuar koston prej 40 euro për maune dhe duke i larguar nga puna 24 punëtorë.

“Nga viti 2003 e deri në vitin 2014 Terminali Doganor ka qenë nën hapësirën e Trepçës e padrejtësisht dhe çuditërisht kjo hapësirë e Trepçës i është dhënë një privati jashtë Kosovës, me ç’rast çmimi është shtrenjtuar 40 euro për maune, shtatë vjet më vonë ne po e bëjmë këtë hapje të terminalit doganor në hapësirën e Trepçës po e kthejmë në Trepçë atë që gjithmonë i ka takuar Trepçës” tha Kurti

Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati paralajmëroi se deri në mesin e vitit të ardhshëm do të shtohen terminale të tjera shtetërore.

“Më një veprim të tillë ka shumë përfitues, për Trepçën kjo nënkupton fitim, megjithatë kjo është vetëm një e hyrë komplementare që Trepçën. Trepçës do t’i kthehet edhe aktiviteti primar, ne tashmë kemi ndarë buxhet në mënyrë që të funksionoj sipas aktiviteti që ka, si minierë, si shkritore, në mënyrë që të kthehet e të bëhet motor i zhvillimit ekonomik. Ky është vetëm hapi i parë, deri në mesin e vitit të ardhshëm do të shtrihen terminale të tilla shtetërore në tërë territorin e republikës”, u shpreh Murati.

Më 28 tetor, KALLXO.com publikoi hulumtimin kamionët që hyjnë tranzit në afërsi të pikës kufitare të Hanit të Elezit po obligohen nga e enjtja e kaluar, që të paguajnë një taksë në vlerë deri 40 euro, pasi që prona përmes të cilën kalojnë është e privatizuar.