Ribotohet libri për letërsinë nga burgu

I ribotuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, libri “Letërsia nga burgu” i Bajram Kosumit, sjell të rikompletuar zhvillimin e letërsisë së krijuar në burgjet komuniste këndej dhe andej kufirit.

Në regjimin komunist në ish-Jugosllavi dhe regjimin komunist në Shqipëri vuajtën padrejtësisht shumë krijues shqiptarë.

Përmes këtij libri studiuesi i letrave shqipe Bajram Kosumi jep hollësi mbi shkrimet e autorëve të burgosur, të cilët përjetuan tortura nga më të ndryshme.

Akademik Sabri Hamiti ka shkruar se libri i Kosumit është një dëshmi konkrete shkrimore të ferrit të burgut, në planin individual dhe personal.

Në kuadër të këtij libri janë përfshirë autorë shqiptarë nga ish-hapësira Jugosllave dhe Shqipëria në një periudhë kohore që nga fillimi deri në rënien e komunizmit, 1945 -1999.

Libri ka 350 faqe dhe ndahet në tetë kapituj.