FOTO: Bajram Kosumi/ Facebook

Rektori i Universitetit të Gjilanit me banesë të re

Rektori i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, gjatë vitit 2020 ka blerë një banesë për fëmijët e tij.

Sipas deklarimit të pasurisë së tij në Agjencinë Kundër Korrupsion, Kosumi në krahasim me vitin e kaluar ka plus një pronë të paluajtshme, që është banesa 90 metra katrorë për fëmijët e tij, në vlerë 60,000 euro.

Por, për këtë banesë, ai ka bërë të ditur në formular se ka huazuar para në shumë prej 30,000 eurosh, nga një person tjetër me kohëzgjatje prej 5 vitesh.

Si para të gatshme në bankat e Kosovës ai ka deklaruar se ka 7,360 euro, ndërsa bashkëshortja e tij ka 10, 273 euro. Këtë vit ai në total para të gatshme ka 17,633 euro, në krahasim me vitin e kaluar që kishte 53,000 euro.

Ndërsa, të hyra vjetore Kosumi përveç pagës si rektor ka edhe nga shërbimet kontraktuale, honoraret si ligjërues në Universitetin e Prishtinës, pagesa nga huazimi si dhe ka tërhequr 10% të Trusti-it, e që në total këto të hyra janë 44,864 euro.

 

.