Regjistrimi i popullsisë në Kosovë

Regjistrimi i popullsisë, deri tani janë regjistruar 400 mijë persona nga diaspora

Që nga fillimi i procesit të regjistrimit të popullsisë, mbi 400 mijë persona janë regjistruar nga diaspora.

Këtë e ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, përmes konferencës për media.

“400,000 janë regjistruar nga diaspora. Pjesa dërmuese janë që jetojnë jashtë por kanë nënshtetësi të Kosovës” – ka thënë Kastrati më 13.05.2024.

Më pak se një javë nga përfundimi i afatit për regjistrimin e popullsisë, ai bëri të ditur se disa komuna kanë kërkuar që të shtyhet procesi i regjistrimit.

“Priten shkresa nga disa komuna që pritet me u shty edhe disa ditë procesi i regjistrimit. Janë edhe pesë ditë nga dita e sotme. Kërkesë për me u  shty procesi ka nga Komuna e Dragashit sepse ka pasur sfidë me komunitete”- ka deklaruar Kastrati.

Para mediave Kastrati ka treguar se Komuna e Prishtinës dhe e Prizrenit kanë hapur zyre për regjistrim të popullësisë.

“Prishtina dhe Prizreni kanë hapë zyre ku shkojnë qytetarët me u regjistru. Komunat janë të lira me i hapë. Qytetarët mund të shkojnë në komunë” – shtoi më tutje Kastrati.

Diaspora mund të regjistrohet në këtë LINK.

Deri tani, në procesin e regjistrimit të popullsisë rezidente në Kosovë, i cili ka nisur më 5 prill 2024, janë regjistruar 1,420,148 qytetarë.

Të dhënat në lidhje me procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë mund t’i gjeni KËTU.

Afati për regjistrimin e popullsisë mbyllet më 17 maj 2024.

Në procesin fundit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, Kosova kishte 1,739,825 banorë.