Foto: Federata Shqiptare e Futbollit

UEFA gjobit Shqipërinë për shkak të sjelljeve të tifozëve në ndeshjen kundër Italisë

Federata Europiane e Futbollit (UEFA) e ka gjobitur Federatën Shqiptare të Futbollit (FShF) me 37 mijë e 375 euro për shkak të incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes Itali – Shqipëri në Kampionatin Europian të futbollit “Euro 2024.”

Incidentet ndodhën gjatë ndeshjes së rundit të parë, e luajtur në stadiumin e Dortmundit më 15.06.2024.

“Penalizimi financiar ka ardhur nga problematika e shkaktuar nga disa tifozë shqiptarë, të cilët ndezën flakadanë gjatë ndeshjes, hodhën sende në fushë, transmetuan mesazhe të papërshtatshme në këtë ngjarje të madhe sportive për ekipin tonë kombëtar si edhe për ndërprerjen e ndeshjes nga një tifoz gjatë pjesës së dytë të lojë” – thuhet në njoftimin e FShF-së.

FShF-ja ka bërë apel te tifozët shqiptarë që të jenë më të përgjegjshëm dhe të shmangin krijimin e incidenteve dhe trazirave totalisht të evitueshme, që mund të sjellin penalitete financiare dhe dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe futbollit shqiptar.

Po ashtu, FShF-ja ka thënë se gjatë ndeshjeve nuk lejohen mesazhet me natyrë jo sportive siç mund të jenë mesazhet politike apo etnike.

Shqipëria humbi me rezultat 2:1 nga Italia në ndeshjen që u luajt në Dortmund të Gjermanisë. Megjithatë, lojtari Nedim Bajraktari arriti të hyjë në histori me golin e tij të shënuar në sekondën e 23-të, që është goli më i shpejtë i realizuar në historinë e këtij kampionati.

Këto janë vendimet e plota të Komisionit të Etikës dhe Disiplinës në UEFA:

  1. Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 10.000 euro për ndezjen e fishekzjarrëve.
  1. Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 12,375 euro për hedhjen e sendeve.
  1. Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 5000 euro për pushtimin e fushës.
  1. Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 10.000 euro për transmetim e mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive.
  1. Gjobat e mësipërme në vlerë të përgjithshme prej 37,375€ duhet të derdhen në llogarinë bankare te UEFA-s brenda 90 ditëve nga komunikimi i këtij vendimi.