Presidenti rus, Vladimir Putin.

Putin nënshkruan ligjin për aneksim të katër rajoneve ukrainase

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar edhe zyrtarisht dokumentet për aneksim të katër rajoneve ukrainase, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve, TASS.

Donjeku, Luhansku, Hersoni dhe Zaporizhja janë rajone që kontrollohen pjesërisht nga forcat ruse, prej shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë në fund të muajit shkurt.

Ditë më parë, dokumentet për aneksim i kanë miratuar të dyja dhomat e Parlamentit rus.

Putin e ka bërë të ditur vendimin për aneksim pas mbajtjes së të ashtuquajturave referendume në këto katër rajoneve.

Perëndimi dhe Kievi i kanë konsideruar këto procese si mashtruese dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Ukrainasit që jetojnë në territoret e aneksuara do të konsiderohen shtetas rusë, përveç nëse informojnë autoritetet lokale se nuk duan diçka të tillë.

Ata kanë një muaj, sipas dokumenteve, që të marrin vendim.

Vendimi i Putinit për aneksim të territoreve është konsideruar shkelje e ligjit ndërkombëtar.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se Uashingtoni “nuk do t’i njohë kurrë territoret e Ukrainës, si diçka tjetër përveç si Ukrainë”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL