Presidentja Osmani kërkoi nga ministri Dendias vazhdimin e mbështetjes së Greqisë për Kosovën

Vazhdimin e mbështetjes nga Greqia për anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, Presidentja Vjosa Osmani e ka kërkuar edhe sot gjatë takimit të cilin e pati me Ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias.

Presidentja Osmani sipas njoftimit për media të publikuar nga zyra e saj,  ka vlerësuar angazhimin proaktiv të Greqisë në rajonin tonë, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të shtetit grek për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.

“Në këtë frymë, Presidentja Osmani, duke u thirrur në vlerat e përbashkëta euroatlantike, ka kërkuar që mbështetja greke për anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike të vazhdojë”- thuhet në njoftim.

Tutje Osmani ka theksuar se integrimi i plotë ndërkombëtar i Kosovës, përfshirë Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Këshillin e Evropës, do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme në rajon.

Osmani ka falënderuar ministrin Dendias për mbështetjen e Greqisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, në votimin e fundi të Këshillit të Bashkimit Evropian, si dhe për avokimin e vazhdueshëm për t’i dhënë fund këtij procesi.

“Në takim është diskutuar edhe për raportet Kosovë-Greqi, me ç’rast Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e thellimit të mëtutjeshëm të  marrëdhënieve dyanëshe, duke përmendur nevojën e rritjes së shkëmbimit tregtar e ekonomik, si dhe bashkëpunimit në sfera të ndryshme të interesit të përbashkët”- thuhet në njoftimin pas takimit të Osmanit me ministrin grek.

Në lidhje me zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se plani i zbatimit të marrëveshjes duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës, e cila do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon, gjersa ka ritheksuar se koordinimi i Kosovës me aleatë në këtë proces do të vazhdojë.