Po përpiqej të kalonte në Rinas, ndalohet ushtaraku vrasës nga Egjipti

I shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje me dashje, plagosje e armëmbajtje pa leje, shtetasi egjiptian Mohamed Rageh mendoi se rruga e tij drejt lirisë do të kalonte nga Shqipëria.

Por përpjekja e 50 vjeçarit për t’i shpëtuar drejtësisë në vendin e vet, u bllokua mëngjesin e sotëm në aeroportin e Rinasit.

I identifikuar si “Mohamed Khairy Mohamed Amer Rageh” , ky shtetas konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore nga autoritetet egjiptiane. Pak dihet rreth tij, por një CV e personit në fjalë, tregon se ai e përshkruan veten si ekspert në inxhinierinë e komunikimit, por edhe si ushtarak.

Kështu, në dokumentin e gjendur në internet thuhet se në 1990-tën mori çmim për lëshimin e raketave Crotale,  e përmendet mes të tjerash edhe një certifikate vlerësimi për aftësitë e tij ushtarake, ndërsa cilësohet si mjaft i kualifikuar për punën në rrjete elektronike e sisteme kontrolli.

Në deklaratën e forcave të rendit theksohet se shërbimet e shërbimet e Policisë Kufitare Rinas vepruan në kuadër të kontrolleve të shtuara dhe verifikimeve të detajuara të dokumenteve të udhëtimit, sidomos të personave që shfaqin probleme apo dyshime gjatë intervistimit, me qëllim kapjen e individëve të shpallur në kërkim, falë edhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën.

Pikërisht pas një intervistimi të detajuar nga Policia Kufitare e Rinasit u bë i mundur identifikimi dhe ndalimi i përkohshëm i shtetasit egjiptian me qëllim ekstradimin e tij. Në njoftim thuhet në në datën 06.11.2019, në Giza të Egjiptit, ai ka vrarë me armë zjarri shtetasin egjiptian M. A., më pas ka marrë automjetin e viktimës dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Top Channel