Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pas tri tentimeve u lejua transferimi i 100 mijë eurove për Luginën e Preshevës

Qeveria e Kosovës ka ndarë 100 mijë euro për qytetarët e Luginës së Preshevës, të cilët pësuan nga vërshimet javë më parë.

Por, transferimi i këtyre mjeteve fillimisht nuk është lejuar nga Thesari i Serbisë. Transferimi i tyre është lejuar pas tentativës së tretë.

Kështu ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

“Ne kemi ndarë 100 mijë euro për personat që janë dëmtuar në Luginën e Preshevës nga vërshimet, kemi pasë problem me i transferu ato mjete sepse Thesari i Serbisë nuk i ka lejuar”, tha ai në emisionin “Kallxo Përnime”.

“Po, javën e kaluar janë transferuar, janë kthyer dy herë prapa ndërsa herën e tretë kanë kaluar pasi e kemi alarmuar edhe zyrën e Brukselit”, deklaroi tutje Bislimi.

Ai ka thënë që kanë bërë një rekomandim për shtetin e Serbisë.

“Ne kemi kërkuar nga z. Lajçak që të bëjë presion te pala serbe që të ekzistojë një llogari permanente ku pala kosovare në vazhdimësi mund të transferojë mjete dhe kemi thënë që ne i rekomandojmë Serbisë ta bëjë të njëjtën edhe për transferet që vijnë në Kosovë, në mënyrë që të sigurojmë transparencë, le të dihet sa mjete rrjedhin, kush janë përfituesit”, deklaroi ai.