Padia e re e Z-Mobile mbledh bordin e Telekomit të Kosovës

Padia e operatorit “Z-Mobile” e dërguar në arbitrazh ndaj Telekomit të Kosovës, ka mbledhur mëngjesin e sotëm bordin e këtij të fundit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe vëtë Kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi.

“Po është mbledhur bordi në lidhje me këtë rast. Njëherë duhet të diskutojmë së bashku e më pas të dalim dhe të flasim sa i përket kësaj çështje”, tha Istrefi për KALLXO.com.

Mediat dje kanë raportuar se operatori “Z-Mobile” në pronësi të Blerim Devollit ka ushtruar padi dhe ka kërkuar dëmshpërblim 15 milion euro ndaj Telekomit të Kosovës.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e “Z-Mobile” në lidhje me këtë rast, por të njëjtit ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Telekomi i Kosovës momentalisht ka një borxh prej mbi 26 milionë euro ndaj Z mobile pasi kjo e fundit fitoi një padi në arbitrazh për shkak të mos respektimit të marrëveshjes nga ndërmarrja publike në kontratën 10 vjeçare.

Kjo kontratë u ndërpre nga Telekomi në fund të muajit korrik.

Arbitrazhi

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.