Foto: Facebook / Xhelal Sveçla

Numri i madh i aksidenteve, këto janë masat urgjente që do të ndërmerren nga institucionet

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se për shkak të numrit të madh të aksidenteve në trafik, në koordinim me ministrin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës,  Liburn Aliu, kanë zhvilluar takimin e Këshillit të Sigurisë së Trafikut Rrugor (KSTRR).

Ministri ka theksuar se masat urgjente që do t’i ndërmarrin në ditët në vijim, ndër tjera përfshijnë krijimin e grupit të ekspertëve për plotësim-ndryshimin e Ligjit për rregullat e trafikut rrugor, rishikimin e nivelit të gjobave, ngritjen e vetëdijesimit dhe sensibilizimin e publikut për çështjet e sigurisë rrugore, sinjalizimin rrugor si dhe nismat e përbashkëta për përmirësimin e sigurinë së përgjithshme në trafikun rrugor.

“Të dhënat zyrtare tregojnë një mori shkaktarësh të aksidenteve në trafik, që përfshijnë pakujdesinë e ngasësve të automjeteve, mungesën e sinjalizimit adekuat, ndriçimin, etj. Ndërsa, ajo çfarë po ashtu konfirmohet për vite me radhë, është së faktori kyç dominant, vazhdon të mbetet tejkalimi i shpejtësisë, parakalimi në vendet e palejuara, mos-vënia e rripi të sigurisë, përdorimi i telefonit”, ka shkruar ministri Sveçla në Facebook.

Sipas tij, situata në terren dëshmon se kërkohet një mobilizim shumë më i madh nga të gjithë akterët relevantë, prandaj hapat e lartpërmendur janë strategjikë për të filluar kthimin e rendit dhe sigurisë në trafikun rrugor në Kosovë.