Ngjarjet e ditës së mërkurë, 04.07.2018

Balkan Green Foundation dhe Germanwatch organizojnë tryezën e rrumbullakët në lidhje me studimin “Kalimi në të ripëtëritshme – Drejt një të ardhme energjetike të begatshme dhe të qëndrueshme në Kosovë: sfidat dhe zgjedhjet e mundshme”. (Hotel Emerlad, ora 9:45)

Mbahet mbledhja e komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

Oda Ekonomike e Kosovës ndanë mirënjohje për kompaninë “Royal Dutch Shell” për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik, përmirësimin e imazhit dhe promovimin e Kosovës përballë investitorëve të huaj. (Lokalet e OEK-ut, ora 10:00)

Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, Ministër i Financave, Bedri Hamza, dhe avokati i popullit Hilmi Jashari së bashku me përfaqësuesit e fshatit Hade do të raportojnë para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione. Raportimi është në lidhje me vendimin e Qeverisë për themelimin e grupit teknik me qëllim të propozimit të zhvillimit të Minierës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

Për nder të 4 korrikut, 242 vjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve, shoqata “Miqtë e Amerikës” në bashkëpunim me FSK-në organizojë një sërë aktivitetesh. (Sheshi “Bill Clinton” në Prishtinë, ora 10:50)

Kryeministri Ramush Haradinaj zhvillon vizitë pune në Komunën e Rahovecit. (Zona Ekonomike mbi Opterushë, ora 11:00)

Instituti Demokratik i Kosovës mban konferencën për media gjatë së cilës do të prezantohen rezultatet e sondazhit me opinionin publik, lidhur me fazën përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi dhe çështjet aktuale që janë trajtuar se fundi nga partitë politike si zgjedhjet e parakohshme. (Zyrat e KDI-së, ora 11:00)

Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar bën publikimin e raportit mbi zbatueshmërinë e ‘’Strategjisë Nacionale për Persona me Aftësi të Kufizuar në Kosovë 2013/23’’. (Hotel Sirius, ora 11:00)

Do të promovohet libri monografik “Fehrat Bej Draga – shembull atdhetarie”, i autorëve: Jusuf Osmani dhe Asllan Murati. Në këtë promovim, janë ftuar të marrin pjesë njohës të fushave të ndryshme, sidomos të historiografisë. (Qendra e Kulturës në Mitrovicë, ora 11.00)

Ministria e Infrastrukturës hap punimet në ndërtimin rrugës Varosh- Gërlicë. (Varosh, ora 11:00).

Mbahet Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa ku do të shqyrtohet edhe projektligji për hekurudhat. (Ndërtesa e Kuvendit, Salla C 203, ora 11:00)

Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hyseni, pret në takim Ministrin e Ministrisë së Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës Nehat Idrizi. (Objekti i Gjykatës Themelore në Ferizaj, ora 11:30)

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, viziton vendpunishten e Palestrës Sportive në fshatin Samdrexhë të Vushtrrisë dhe do të takohet me kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahirin. (Fshati Samdrexhë, ora 13:30)

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, do të takohet me Komisionin e Kuvendit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi. (Ndërtesa e Kuvendit, Salla N204, ora 13:30)

Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media (Zyrat e LVV, ora 14:00)

Kryetari i Komunës Xhafer Gashi, në vazhdën e debateve për projektin e sheshit të qytetit, të mërkurën organizon debatin me qytetarët e komunës së Obiliqit, për Projektin ideor për Sheshin e qytetit. (Shkolla “Ibrahim Rugova”, në Obiliq, ora 17:00)