Pika kufitare në Merdarë, Foto: KALLXO.com

Nga 1 korriku fillon subvencionimi i policës kufitare për mërgatën

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se nga 1 korriku, të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë me automjete për pasagjerë, do të mund të marrin policën e sigurimit falas në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse.

“Bashkë me Ministrin Sveçla, Guvernatorin Ismaili, dhe BKS-në, sot kemi nënshkruar edhe marrëveshjen e cila operacionalizon subvencionimin nga Qeveria të policës kufitare për bashkatdhetarët tanë”, ka shkruar Murati në rrjetin social Facebook.

Ai ka sqaruar se polica e subvencionuar do të ketë vlefshmëri 1 muaj nga dita e lëshimit/hyrjes në Kosovë dhe subvencionohet vetëm për automjetet jo-komerciale për pasagjerë, deri në 9 ulëse.

“Në subvencionim nuk përfshihen policat kufitare me afat vlefshmërie të ndryshëm prej atij 1 mujor, si dhe nuk përfshihen automjetet tjera siç janë autobusët, kamionët, motoçikletat etj. Gjithashtu, policat që merren në zyrat e BKS brenda territorit, e jo në pikat hyrëse kufitare, nuk mbulohen nga subvencionimi”, ka shpjeguar Murati.

Subvencionimin e policës kufitare për mërgatën e ka mirëpritur edhe kryeministri Albin Kurti.

“Të dashur bashkatdhetarë, si çdo verë, e përherë, Kosova ju pret me krahë t’hapur dhe zemrën plot. Ju që do të vini me automjete, nga e hëna mund të merrni falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj, në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse”, ka shkruar Kurti, duke iu uruar pushime të këndshme mërgimtarëve.

Qeveria e Kosovës, më 13.06.2024, ka ndarë 3 milionë euro për mbulimin e policës kufitare për mërgimtarët.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se procedura do të kryhet online para se mërgimtarët të arrijnë në Kosovë.

“Duke marrë parasysh që një polic e tillë kufitare krijon radhë të panevojshme dhe të tepërta, që pastaj pas një rrugëtimi të gjatë që e bëjnë mërgata- prapë pastaj kanë vonesa, ideja është që këtë ta bëjmë përmes qasjes online. Para se të arrijnë këtu [mërgimtarët] do të tërheqin online falas policen që mbulohet nga Qeveria dhe kësisoj të evitohet radhët e gjata në veri”- ka thënë ai.

Edhe vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të mbuloj koston e policës kufitare për mërgimtarët ndërsa aplikimi për rimbursim të bëhet në mënyrë ‘online’.