Benjamin Netanyahu

Netanyahu prin në zgjedhjet e Izraelit

Rezultatet preliminare tregojnë se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i fitoi zgedhjet e përgjithshme në këtë vend.

Me gati një çerek votash të numëruara, partia Likud e Netanyahut doli e para me 28.73 për qind, ndërsa Të Kaltrit dhe të Bardhët – parti e udhëhequr nga rivali i Netanyahut, Benny Gantz – dolën të dytët me 23.26 për qind.

Megjithatë, sondazhet sugjerojnë se Likud dhe aleatët e tij të krahut të djathtë mund të mos arrijnë shumicën në parlament.

Lista e Përbashkët – bllok i partive arabe – aktualisht qëndron në vendin e tretë, me 12.36 për qind të votave.

Zgjedhjet e së hënës në Izrael ishin të tretat në më pak se një vit.

Asnjëri nga udhëheqësit e dy partive kryesore nuk ka mundur të formojë shumicën në parlamentin me 120 vende në dy palë zgjedhjet e kaluara.

Netanyahu, 70 vjeç, është lideri që ka shërbyer më së gjati në krye të Qeverisë izraelite.

Ai ka qenë në këtë detyrë nga viti 1996 deri më 1999 dhe përsëri nga viti 2009.

Ai po përpiqet të fitojë tani mandatin e pestë.

Zgjedhjet u zhvilluan dy javë para se kryeministri të paraqitet në gjykatë për t’u përballur me akuzat për korrupsion, të cilat ai i mohon. /REL