Në veri të Kosovës gjenden kamera të kamufluara, dyshohet se janë përdorur nga institucionet e Serbisë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka gjetur dy kamera të vendosura në lokacione në veri të vendit, të cilat dyshohet se janë përdorur në vazhdimësi nga institucionet e sigurisë së Serbisë.

Kështu ka thënë për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.

Ai tha se më datë 27.06.2024, Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në, kanë identifikuar dy lokacione në të cilat kanë qenë të vendosura kamerat vëzhguese të kamufluara.

Kamerat, sipas zëvendësdrejtorit Elshani, dyshohet se janë përdorur për monitorim të lëvizjeve të qytetarëve, institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në veri të vendit.

Elshani shtoi se lidhur me këtë rast janë të identifikuar dy persona të cilët, sipas tij, “janë me interes që të intervistohen” nga ana e Policisë.