Në Kosovë shpallet e përfunduar pandemia COVID-19, qytetarët rrëfejnë për frikën e përjetuar

Tri vite më parë edhe në Kosovë filloi të përhapej coronavirusi, i cili shumë shpejt u shndërrua në pandemi në nivel globi.

Sikur edhe në çdo vend tjetër të botës pandemia COVID-19 edhe në Kosovë ndryshoi rrjedhën e jetës së shumë qytetarëve.

Shkollat, dyqanet e shumë institucione u mbyllën, mësimi nisi të zhvillohej në distancë e shumica e punëve filluan të mbahen online, megjithëse kishte edhe qytetarë që mbetën të pa punë e disa të tjerë humbën edhe më të dashurit e tyre si pasojë e këtij virusi.

Sot Qeveria e Kosovës ka shpallur të përfundimin zyrtarisht pandeminë COVID-19. Po ashtu, është miratuar edhe largimi i të gjitha masave anti- COVID-19.

Qytetarë të shumtë e kanë pritur me gëzim këtë lajm.

Një ndër ta është Naim Rexhepi, i cili pandeminë e kujton si një kohë të mbushur me stres dhe vështirësi në punë dhe në jetën e përditshme.

“Gjatë pandemisë u kanë shumë vështirë gjatë punës, gjatë çdo gjëje ka qenë shumë problem, edhe gjatë sëmundjeve edhe gjatë stresit” – ka thënë Rexhepi për KALLXO.com.

Naim Rexhepi, qytetar. FOTO: KALLXO.com

“Na vjen shumë mirë që ka ardhë puna për t’u hequr edhe ishalla nuk përsëritet kurrë më në jetë!”- ka uruar ai.

Njëjtë si Rexhepi mendon edhe Besim Millaku, i cili mes sfidave të shumta të pandemisë ka veçuar mbylljen dhe infektimin e familjarëve.

“Kemi pasur raste të rënda edhe në familje, fillimi ka qenë i panjohur, e kemi ndjerë veten shumë keq, të mbyllur”- ka thënë Millaku.

Besim Millaku, qytetar. FOTO: KALLXO.com

Për më të dashurit e tij pohon të jetë frikësuar edhe 19-vjeçari Lir Qela.

“Gjatë pandemisë më së shumti jam frikësuar për gjyshen time dhe familjarët e tjerë më të moshuar”- thotë 19-vjeçari.

Mirëpo, Qela ka shpjeguar se gjatë periudhës së mbylljes brenda katër mureve ai ka arritur t’i shijojë edhe disa anë pozitive dhe të punojë me veten.

“Ka qenë disi shumë relaksim se nuk kam pasur ndonjë punë ato ditë, vetëm kam ndejtë, tre muaj, jam relaksuar. I kam hequr të gjitha të këqijat që i kam pasur ndoshta. Edhe jam mësuar, jam rritur mentalisht ato ditë”- ka thënë ai.

Lir Qela, qytetar. FOTO: KALLXO.com

Përditshmëria e re e të mësuarit në distancë

Marsi i 2020-tës për asokohe gjimnazisten Floriana Alija nga Gjakova kishte sjellë një mori ndryshimesh në përditshmërinë e saj.

Nga mësimi i zakonshëm në prani e kontakt të vazhdueshëm me shoqërinë dhe mësimdhënësit, Alija, si mijëra nxënës të tjerë ishte detyruar të mësonte online dhe të ambientohej me këtë formë të re.

“Ka qenë pak sfidë me qenë larg prej shoqërisë së klasës, ka qenë një formë më ndryshe, pasi që jemi mësuar m’i ndjekë mësimet në prani fizike. Por, i ka pasur edhe përparësitë e veta në atë kohë. Më vjen mirë që është gjetur edhe një zgjidhje siç ka qenë edhe mësimi online që mos me mbet mbrapa edhe mos me u rreziku edhe jeta e qytetarëve” – ka thënë Alija për KALLXO.com.

Floriana Alija, qytetare. FOTO: KALLXO.com

Përveç nxënësve, edhe mësimdhënësit dhe udhëheqësit e institucioneve arsimore ishin detyruar të gjejnë forma të ndryshme për të qenë sa më të çasshëm dhe për të mundësuar një mësim sa më atraktiv për nxënësit dhe studentët.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Dashamir Bërxulli, ka theksuar se pandemia ka sjellë edhe ngarkesa në shëndetin mental të studentëve dhe profesorëve.

“Veçanërisht për pjesën e universitetit, pjesën e studentëve dhe profesoratit, pandemia ka qenë një ngarkesë shumë e madhe që mendoj se në shëndetin mental ka lënë një shenjë të caktuar e cila sigurisht reflektohet në mënyra të transformuara”- ka shpjeguar Bërxulli.

Dekani i fakultetit filozofik, Dashamir Bërxulli. FOTO: KALLXO.com

Dekani është shprehur i lumtur me përfundimin e pandemisë.

“Jemi shumë të gëzuar në këtë drejtim. Besoj që shoqëria por edhe universiteti do të frymojnë krejt ndryshe”- ka shtuar ai.

Afër virusit e larg familjarëve

Kur mijëra qytetarë duhej të qëndronin të izoluar në shtëpi, punëtorët shëndetësorë  ishin ndër kryesorët që duhej të qëndronin në frontin e parë për të luftuar armikun e padukshëm.

Fillimin e pandemisë, specialistja e mjekësisë familjare Sadije Klinaku e kujton me brengën që përjetonin si pacientët ashtu edhe mjekët.

Ajo përshkruan se të infektuarit frikësoheshin nga e panjohura dhe pasojat që mund t’u sillte virusi, gjersa për të si mjeke veçon gatishmërinë që duhej të kishin në çdo moment.

“Ne si punëtorë shëndetësorë nëpër qendrat e mjekësisë familjare shumë kemi punu dhe sa mendoj unë nuk kemi pasur aq frikë sepse pacientit është dashur me i dhënë ndihmë edhe duhej me të gjitha me i ndihmu” – ka thënë Klinaku.

Sadije Klinaku. FOTO: KALLXO.com

Pas një viti, fundmarsi i 2021-tës kishte shënuar ardhjen e kontingjentit të parë të vaksinave anti COVID në Kosovë.

Mjekët kishin qenë ndër të parët që obligoheshin ta merrnin këtë vaksinë. Fillimisht disa prej tyre dozat kishin filluar t’i merrnin në Kukës.

Me kalimin e kohës kur lista e vaksinimit kishte filluar t’i përfshijë të gjitha kategoritë e shoqërisë, kishte nisur edhe një “ashpërsim” i masave për qytetarët që ende nuk e kishin marrë vaksinën anti COVID.

Disa prej këtyre kufizimeve, qytetari Rrezon Hasimi i ka cilësuar si të arsyeshme për të kontribuar në mbrojtjen e qytetarëve.

“Jam vaksinuar sepse ka pasur kufizime që nuk kemi mundur t’i kryejmë punët tona të përditshme. Domethënë, ka qenë pak e dhunshme por ndoshta kjo dhunë ka reflektuar që me qenë ma mirë për qytetarët e Kosovës”- ka thënë ai.

Rrezon Hasimi, qytetar. FOTO: KALLXO.com

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, deri tani në Kosovë 273 mijë e 935 persona janë infektuar me COVID-19 gjersa 3 mijë e 217  persona kanë vdekur.