Naser Ramadani: Kosova e gatshme të pres valën e dytë të COVID-19

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, ka thënë se pandemia në vend është drejt normalizimit në kohën kur në gjithë botën ka rritje të rasteve pozitive me COVID-19.

Sipas tij është duke u bërë menaxhim i mirë derisa në Kosovë është ulur numri i rasteve të reja me coronavirus.

Tutje Ramadani tha se Kosova është e gatshme për valën e dytë të virusit e cila pritet të riktheht nga muaji tetor e tutje.

“Si shtet jemi të përgatitur edhe për valën e dytë apo të tretë të COVID-19. Jemi të përgatitur në të gjitha aspektet menaxheriale, organizative, vendimmarrëse, politike, zbatuese, ekzekutive e legjislative që t’i dalim përballë valës së re eventuale që pritet të jetë në të gjithë botën prej tetorit e tutje”, ka thënë ai.

Gjithashtu Ramadani ka thënë se Kosova nuk është në ranglistë si e para me numrin e vdekjeve kurse nuk ka komentuar numrin e lartë të vdekjeve në vend.

Në fund ai ka thënë se qytetarët e Kosovës janë ndër të parët që pritet të vaksinohen sapo të dalë vaksina kundër COVID-19.