Isa Mustafa në konferenë për media Foto: KALLXO.com

Mustafa për letrën e fundit të LVV-së: Nuk e konsideroj zyrtare

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se letra e fundit të cilën e ka dërguar Lëvizja Vetëvendosje tek ta përmban cilësime dhe nuk e konsideron  letër zyrtare.

“Letrën do ta shohim. Nuk e konsideroj atë që është letër zyrtare dhe përgjigje zyrtare. Është një letër me cilësime të cilat nuk janë shumë zyrtare”, tha i pari i LDK-së para gazetarëve, afër selisë së partisë.

Mustafa shtoi se janë të interesuar ta përmbyllin këtë proces.

“Ajo që unë mund të ju them është që ne jemi të interesuar ta përmbyllim këtë proces. Jemi të interesuar të gjejmë rrugë për ta bërë marrëveshjen, me i themelu institucionet dhe mos me vazhdu akoma kjo agoni e institucioneve. Për këtë ne do të mundohemi të punojmë maksimalisht dhe për këtë kërkoj që edhe Vetëvendosja si partner i mundshëm i yni të jap kontributin e saj”, tha ai.

Kreu i LDK-së u pyet edhe për komunikimin me Albin Kurtin e VV-së.

“Komunikim gjithmonë kemi pas direkt sepse unë gjithmonë shkruaj me z.Kurti dhe komunikojmë lidhur me mbajtjen e  takimeve, mirëpo ne s’mund t’i instruktojmë se si ata do të komunikojnë”, theksoi ai.

Mustafa ka shtuar se nuk mund ta mbledh Këshillin e Përgjithshëm të partisë për të diskutuar “elemente” të letrave të subjekteve të tjera politike.

“Në qoftë se e mbajmë Këshillin e mbajmë për çështje të cilat ne konsiderojmë se janë parimore. Por ne nuk diskutojmë në këshill elemente të letrave të subjekteve tjera politike sepse i kemi të përcaktuara parimet e marrëveshjes, prandaj mbi ato parime ne po mundohemi të gjejmë rrugë për marrëveshje”, u përgjigj ai.

Një zarf i ardhur nga Lëvizja Vetëvendosje është dorëzuar sot brenda zyreve të LDK-së.

KALLXO.com merr vesh se Albin Kurti i ka kërkuar LDK-së që të heqë dorë nga kërkesa për postin e Kryeparlamentarit deri në zgjedhjen e Presidentit.

Deri më tani përpjekjet e këtyre dy partive për koalicion nuk kanë qenë të frytshme.

LIVE nga LDK, flet Isa Mustafa

Publiée par Kallxo.com sur Jeudi 16 janvier 2020