Mot me shi dhe shkarkime rrufesh

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-24 gradë Celsius.

Sipas institutit, në Kosovë edhe sot moti do të jetë i paqëndrueshëm, ndërsa ekzistojnë mundësitë që të ketë rrufe e po ashtu edhe vërshime.

Instituti, për shkak të rrufeve ka apeluar te qytetarët që të qëndrojnë brenda hapësirave dhe të mos dalin jashtë në mënyrë që të sigurohen.

“Fushat e fuqishme ciklonike të cilat kanë përfshirë vendin, vazhdojnë të jenë të paqëndrueshme, duke krijuar kushte për mot me intervale të shkurta me diell dhe vranësira konvektive të cilat gjatë ditës do të shoqërohen me reshje shiu me stuhi dhe shkarkime rrufesh. Reshjet me intensitet më të lartë priten në jug, jugperëndim, perëndim dhe veriperëndim të vendit. Do të fryjë erë nga juglindja, perëndimi dhe jugperëndimi e lehtë dhe lokalisht e fortë”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.