Memli Krasniqi tregon qëndrimin e PDK-së për procesin e Vetingut

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas takimit me kryeministrin Kurti ka kërkuar që procesi i Vetingut të të implementohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe rekomandimet e veçanta të Komisionit të Venecias.

“Meqenëse edhe Komisioni i Venecias në Opinionin e tij ka kërkuar arritjen e konsensusit institucional e politik, transparencë dhe standarde të larta profesionale, PDK vlerëson se zgjidhja e vetme e drejtë, e duhur dhe e qëndrueshme, është zhvillimi i këtij procesi nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përgjegjësinë kushtetuese të të cilit, në instancë të fundit, mbetet edhe miratimi ose jo i ndryshimeve kushtetuese të nevojshme”, tha Krasniqi.

Më tej, Krasniqi ka thënë se, për të zbatuar një proces të tillë, është i domosdoshëm një konsensus i gjerë ndërmjet partive politike parlamentare, shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës.

“PDK, si parti shtet formuese dhe shtet ndërtuese, mbetet e përkushtuar në ofrimin e kontributit të vet për çdo nismë ligjore dhe kushtetuese që i shërben reformave të nevojshme dhe që bëhet në koordinim të plotë me partnerët strategjikë të vendit, shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesit.”, ka theksuar ai.

Pas dhënies së dritës së gjelbër nga Komisioni i Venecias për procesin e vettingut në Kosovë, kreu i ekzekutivit Albin Kurti dhe ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu kanë filluar takimet me partitë opozitare, ku të parën kanë zgjedhur Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke u pritur në takim nga kryetari i saj Memli Krasniqi.

Pas këtij takimi kryeministri Kurti ka paralajmëruar se do të takoj edhe partitë e tjera opozitare në vend për të diskutuar për procesin e vettingut.

Vettingu është proces i përkohshëm për vlerësimin e aftësive profesionale, performancës, integritetit dhe pasurisë së gjykatësve, prokurorëve dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Qëllimi i këtij procesi sipas koncept dokumentit është ndryshimi i gjendjes aktuale të sistemit të drejtësisë dhe kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Ky proces synohet të zgjasë pesë vite, ku kujdes të veçantë do t’i kushtohet vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sipas koncept dokumnetit për zyrtarët e lartë shtetërorë, vlerësimi i performancës do ketë tjetër natyrë dhe të tjera kritere, KGJK dhe KPK vet do të shkarkojnë nëpunësit në shkallë të fundit, ndërsa si instancë për ankimim në rastet e shkarkimit do të jetë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës.

Vettingu do të realizohet për mbledhjen e tri llojeve të të dhënave për gjyqtarët dhe prokurorët, të dhënat rreth aftësive profesionale dhe performancës, të dhënat rreth pasurisë dhe informata të tjera të lidhura me integritetin.

Të dhënat rreth aftësive profesionale përfshijnë rastet kur një vendim paraqet arsyeshmëri të çuditshme e të mangët, ashtu që të rezultojë në mungesë të drejtshmërisë dhe paanësisë.

Të dhënat rreth pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve përfshijnë verifikimin e pasurisë së deklaruar dhe kontrollin e  pasurive, ligjshmërinë e burimit të krijimit të tyre, përmbushjes së detyrimeve financiare.

Sipas koncept dokumentit vlerësimi rreth pasurisë do të jetë në drejtim të asaj se a është keqpërdorur pozita si gjyqtar/prokuror për t’i sjellë përfitime financiare vetes apo personit të tretë.

Të dhënat lidhur me integritetin përfshijnë  informatat mbi lidhjet-afërsitë politike ose me grupet e tjera të interesit të kandidatit të cilat ndikojnë në vendimmarrjen e tyre, dhe informata të tjera të mbledhura nga terreni.