
Foto: Donald J. Trump / Facebook
Mbi 50 vende kontaktojnë SHBA-në për të negociuar tarifat, thotë një zyrtar i Trump
Më shumë se 50 vende i janë drejtuar Shtëpisë së Bardhë për të nisur bisedimet tregtare që nga shpallja e tarifave nga presidenti Donald Trump, sipas drejtorit të Këshillit Kombëtar Ekonomik të Shtëpisë së Bardhë.
“Po e bëjnë këtë sepse e kuptojnë që një pjesë e madhe e barrës së tarifave bie mbi ta” – tha Kevin Hassett për ABC News.
Të shohim çfarë ka ndodhur që nga “dita e çlirimit”, siç e quajti vetë Trump më 02.04.2025, kur shpalli një seri të re tarifash.
Indonezia dhe Tajvani deklaruan se nuk do të vendosin tarifa hakmarrëse, ndërsa presidenti izraelit Benjamin Netanyahu është nisur drejt Uashingtonit për t’u takuar me Trump për bisedime tregtare.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, paralajmëroi se “bota që njihnim ka marrë fund” dhe tha se qeveria është gati të ndërhyjë për të mbrojtur ekonominë britanike.
Ekspertët paralajmërojnë se tarifat mund të rrisin çmimet për konsumatorët, por Trump u bëri thirrje amerikanëve të “qëndrojnë të fortë” pas turbullirave në tregje.
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, tha se do të kundërpërgjigjet me një tarifë për makinat amerikane që nuk përputhen me marrëveshjen ekzistuese të tregtisë së lirë të Amerikës së Veriut.
Derisa, Kina njoftoi se do të vendosë tarifë prej 34% për të gjitha importet nga SHBA, duke filluar nga 10.04.2025.
Në mesin e vendeve të cilave u është caktuar tarifa bëjnë pjesë edhe shtetet e Ballkanit. Kosovës dhe Shqipërisë janë prekur me tarifë 10%, që është edhe tarifa më e ulët e caktuar nga Administrata e Trump në krahasim me vendet e tjera. /BBC