Masa e karantinimit për qytetet në zonë të kuqe vlen prej orës 19:00 deri në 05:00 të mëngjesit

Në bazë të masave të fundit të Qeverisë së Kosovës për parandalimin e COVID-19, komunat me numër të madh të infektuarave për 100 mijë banorë janë futur në zonën e kuqe, e cila paraqet rrezik më të lartë.

Sipas hartës së publikuar nga kryeministri Hoti, kuptojmë se Prishtina, Fushë Kosova, Gjilani, Obiliqi, Novobërda, Ferizaj, Gjakova, Shtimja, Podujeva, Peja, janë në zonën e kuqe.

Qeveria ka vendosur që komunat të cilat janë në zonë të kuqe të hyjnë në orë policore dhe të u ndalen veprimtaritë ekonomike nga ora 19:00 deri në 05:00 në bazë ditore.

Masat që  vlejnë për komunat me rrezik të lartë të përhapjes së infeksionit, janë: Ndalohet lëvizja e qytetarëve jashtë shtëpive/banesave të tyre pas orës 19:00 e deri në orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore, duke përjashtuar nga kjo masë personelit shëndetësor, të sigurisë, drejtësisë dhe të ngjashme.

Ndalohen hyrje-daljet e qytetarëve dhe automjeteve në territorin e komunës përkatëse nga ora 19:00 deri në orën 05:00, përveç: Personelit shëndetësor, personelit të sigurisë, drejtësisë dhe studentëve; Qytetarëve për nevoja emergjente; Operatorëve që kryejnë punë publike.

Ndalohet veprimtaria e gastronomisë nga ora 19:00 deri në orën 05:00; Institucionet publike dhe private punojnë vetëm me stafin esencial, i cili staf përcaktohet me vendim të secilit institucion në veçanti.

Kurse transporti publik lejohet të punojë me 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19.

Këto janë masat e reja sipas rasteve të komunave me COVID-19