Malishevë, mbrëmë asnjë rast pozitiv me COVID-19

Mbrëmë numri i rasteve të infektuara me coronavirus në Kosovë ka thyer rekord.

195 persona rezultuan pozitiv me COVID-19 në nivel vendi, dhe 44 të tjerë janë shëruar, sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Përkundër numrit të madh të rasteve në nivel vendi komuna e Malishevës e cila ka qenë ndër komunat e para të prekura nga kjo pandemi rezultoi me zero raste pozitive.

“Dje në territorin e Komunës së Malishevës, të gjitha analizat nga testet e bëra për COVID-19, kanë rezultuar negative”, thuhet në njoftimin në faqen zyrtare të komunës.

Tutje bëhet e ditur se gjendja është nën kontroll dhe se vetëm pesë persona janë aktiv me COVID-19 në Malishevë, të cilët sipas komunës janë afër shërimit.

Nënkryetari i komunës së Malishevës, Hajdin Berisha  apeloi te qytetarët që të respektohen masat e rekomanduara nga institucionet shëndetësore.

“Shtabi Komunal Emergjent, është në monitorim dhe menaxhim të vazhdueshëm të situatës, por për tu ndier të gjithë të sigurt, duhet ti respektojmë masat mbrojtëse të rekomanduara nga institucionet tona shëndetësore”,  tha nënkryetari.

Në nivel vendi janë 3703 persona të infektuar me virusin corona, 1946 prej tyre janë shëruar dhe 79 të tjerë kanë vdekur.

Vetëm brenda 24 orëve në Kosovë kanë vdekur katër persona të prekur nga COVID-19 por kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese.