Leposhtica flet për rreziqet e keqpërdorimit të vetingut në drejtësi

E përbashkëta e të gjitha programeve të partive politike për fushën e drejtësisë ka qenë vetingu për gjyqtarët e prokurorët.

Megjithatë, sipas Drejtorit të Zyrës Ligjore në KALLXO.com, Labinot Leposhtica, ky proces nuk është elaboruar mirë në programe dhe mund të ketë rreziqe gjatë implementimit.

Leposhtica në emisionin Jeta në Kosovë tha se vetingu në drejtësi mund të përdoret edhe për favore të politikës për të larguar nga skena prokurorë e gjyqtarë të padëshiruar.

“Aq më shumë që jemi thellu në programet e tyre kemi parë varfërinë e ofertës politike. Ndoshta duke tingëllu vetingu më ekzotik janë thirrë në veting por asnjëra nuk pa ofruar një program të qartë kur ka me fillu dhe si ka me u bë vetingu. Ndoshta edhe më e rëndësishme a është së pari ma i rëndësishëm vetingu në politikë para drejtësisë”, tha ai.

Ai foli edhe për rrezikun e bllokimit të sistemit të drejtësisë nga një veting eventual

“Vetingu përpos të mirave, në Kosovë mund të ketë edhe rreziqe për shembull mund të ketë edhe rrezikun nga bllokimi i sistemit që mund të përkthehet në parashkrim edhe të disa lëndëve të korrupsionit”,shtoi Leposhtica.

Sot në Jeta në Kosovë u diskutua për zgjedhjet dhe pritjet nga qeveria e ardhshme.

Pjesë e këtij diskutimi janë: Besnik Vasolli, ekspert i çështjeve zhvillimore, Besa Kabashi-Ramaj, eksperte e sigurisë, Bashkim Ibishi, ekspert për komunitete, Lulzim Emini, ekspert i shëndetësisë, Dafina Krasniqi, Task Forca për Rini dhe Labinot Leposhtica, udhëheqës i zyrës ligjore të KALLXO.com.

Më poshtë mund ta ndiqni emisionin e plotë: